India miraton vaksinën e AstraZenneca
India bëhet shteti i dytë në botë që miraton për përdorim vaksinën kundër koronavirusit është prodhuar nga kompania britanike, AstraZeneca, në bashkëpunim me Universitetin e Oxfordit, duke ia hapur rrugën vaksinimit masiv në shtetin me popullsinë e dytë më të madhe në botë.
Ministri Prakash Javadekar tha para gazetarëve të shtunën se vaksinës i është dhënë drita e gjelbër të premten. Kjo është vaksina e parë që miratohet për përdorim urgjent në Indi, që e ka numrin më të madh të të prekurve nga COVID-19 pas Shteteve të Bashkuara.
Ministri Javadekar tha se së paku edhe tri vaksina të tjera janë duke pritur për t’u miratuar. Në mesin e tyre janë Vaksina ruse, Sputnik V dhe një vaksinë e zhvilluar nga një kompani vendore.
“India është ndoshta shteti i vetëm ku së paku katër vaksina po bëhen gati. Një u miratua dje për përdorim urgjent”, shtoi ministri.
Vaksina e Oxfordit ka disa përparësi ndaj vaksinave të tjera, sepse është më e lirë dhe më e lehtë për t’u transportuar dhe për t’u ruajtur.
India deri më tani ka regjistruar më shumë se 10 milionë të infektuar ndonëse shkalla e infeksionit ka shënuar rënie në krahasim me kulmin e arritur në shtator.