India vazhdon me shifra rekorde të të prekurve nga koronavirusi

29 prill 2021 | 11:41

India raportoi të enjten shifra rekorde të të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi.

Autoritetet thanë se kanë regjistruar 379 257 raste të reja në 24 orë dhe 3 645 viktima.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka kaluar tashmë 18.3 milionë, ndërsa i viktimave është 204 832.

India është duke kaluar valën më të rëndë të pandemisë, e cila ka shpërthyer pranverën e vitit të kaluar.

Spitalet e saj janë të mbingarkuara, ndërsa raportohet për mungesa medikamentesh, përfshirë oksigjenin.

Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se do të dërgojnë mbi 100 milionë dollarë furnizime në Indi, përfshirë 1 000 bombola oksigjeni, 15 milionë maska dhe një milion teste të shpejta diagnostikuese.

Shtëpia e Bardhë gjithashtu tha se mbi 20 milionë doza të vaksinës AstraZeneca, të destinuara për SHBA-në, do të shkojnë në Indi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha në azhurnimin e saj javor se India përbën 38 për qind të 5.7 milionë rasteve me koronavirus, të raportuara në të gjithë botën javën e kaluar.

Koronavirusi ka prekur afro 150 milionë njerëz në botë.

Prej tyre, mbi 3 milionë kanë vdekur dhe mbi 86 milionë janë shëruar.

Vendi më i prekur është SHBA-ja, me mbi 32 milionë të infektuar dhe mbi 574 000 viktima./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka pritur në…