Indonezia ndalon eksodin tradicional të Ramazanit për të frenuar koronavirusin
Në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, Indonezia do të ndalojë largimin e njerëzve nga qytetet në fund të Muajit të Ramazanit, tha presidenti Joko Widodo.
Indonezia ka regjistruar 590 viktima nga koronavirusi – më shumë se çdo vend tjetër në Azinë Lindore, pas Kinës.
Ekspertët e shëndetësisë kanë paralajmëruar se lejimi i miliona njerëzve të udhëtojnë në fshatrat e tyre pas Ramazanit, mund të shpejtojë përhapjen e sëmundjes.
“Kam marrë vendim për të ndaluar udhëtimin”, tha Widodo në një takim të kabinetit.
Vitin e kaluar, rreth 19.5 milionë indonezianë kanë udhëtuar në fshatrat e tyre, për të festuar Festën e Bajramit, e cila shënon fundin e Muajit të shenjtë të Ramazanit.
Indonezia është vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë.
Aktualisht, ky vend ka mbi 6,700 të infektuar me koronavirus.
Në një studim javën e kaluar, studiuesit në Fakultetin e Shëndetit Publik të Universitetit të Indonezisë paralajmëruan se nëse eksodi lejohet, numri i të infektuarve mund të arrijë në një milion deri në muajin korrik.
Muaji i Ramazanit, gjatë të cilit besimtarët myslimanë agjërojnë, nis këtë javë dhe zgjat 30 ditë./rel/