Industria përpunuese në Kosovë ka shënuar rënie për 7.7 për qind
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të martën “Statistikat Afatshkurtra të Industrisë” për tremujorin e katërt (TM4) 2017.
Kjo anketë me të dhënat që ofron synon ta paraqesë ecurinë në industri (B-nxjerrëse, C- përpunuese, D-furnizim me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar dhe E-furnizim me ujë, veprimtari të menaxhimit dhe trajtim të mbeturinave) në periudha tremujore, nëpërmjet të cilave kuptohet zhvillimi i ciklit në industri.
Sipas ASK-së, në tremujorin e katërt të vitit 2017, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2017, ka pasur një rritje të furnizimi me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave (E) prej 8.2 për qind; industria nxjerrëse (B) prej 31.9 për qind; si dhe te furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (D) prej 49.6 për qind. “Ndërsa, kishte rënie të industria përpunuese (C) prej (-7.7 për qind). Ndërkaq, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2016), ka pasur një rritje të industria nxjerrëse (B ) prej 31.3 për qind; furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (D) prej 7.8 për qind; furnizimi me ujë, veprimtari të menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave (E) prej 6.1 për qind; si dhe industria përpunuese (C) prej 3.2 për qind”, thuhet në publikimin e ASK-së.