Infantino thotë se futbolli në Kosovë ka bërë përparim të jashtëzakonshëm, vlerëson punën edhe të presidentit Ademi

21 dhjetor 2024 | 11:47

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino, ka vlerësuar rritjen dhe zhvillimin e futbollit kosovar.

Federata e Futbollit e Kosovës ka prezantuar një videomesazh të Infantinos në ceremoninë e shpalljes së më të mirëve, që u mbajt të premten mbrëma.

Infantino ka vlerësuar punën e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, ndërsa ka përmendur edhe kontributin e të ndjerit Fadil Vokrri.

“Qëkur Kosova iu bashkua FIFA-s në maj të vitit 2016, futbolli ka bërë përparime të jashtëzakonshme në vendin tuaj dhe ekipet tuaja tashmë kanë arritur disa rezultate shumë mbresëlënëse. I ndjeri Fadil Vokrri, presidenti juaj i atëhershëm dhe miku im i dashur, punoi aq shumë për të realizuar ëndrrën e anëtarësimit të Kosovës në FIFA dhe dua të filloj duke i bërë homazhe një lideri të madh dhe një futbollisti të madh”, ka thënë Infantino.

Ai ka përmendur faktin që Kosova është në top-100 të ranglistës botërore me përfaqësuesen e futbollistëve dhe atë të futbollisteve. Ka folur edhe për programin përmes të cilit FIFA e mbështet futbollin kosovar.

“Ky ka qenë një vit i shkëlqyer për futbollin në Kosovë, me ekipet e meshkujve dhe të femrave që aktualisht renditen në top-100 të renditjes së FIFA-s, duke arritur pozicionet më të larta ndonjëherë në renditje. Kjo, sigurisht, nuk ka ndodhur rastësisht, por është rezultat i punës fantastike që po bëhet nga presidenti Ademi dhe nga të gjithë ju. Po bëhet shumë për t’u dhënë vajzave dhe djemve mundësinë për të luajtur futboll, për të ofruar kushte më të mira, për të rritur standardet, dhe jam i sigurt se, me mbështetjen e programit FIFA Forward, ka ende shumë për t’u bërë në të ardhmen”, ka vazhduar Infantino fjalimin për komunitetin e futbollit në Kosovë.

Infantino ka theksuar se është entuziazmuar kur e ka vizituar Kosovën në vitin 2022, ndërsa ka përmendur kontributin e FIFA-s për përfshirjen e sistemit VAR.

“Për më tepër, në nëntor 2023, ju lansuat strategjinë tuaj për futbollin e femrave, e cila synon të rrisë pjesëmarrjen dhe të përmirësojë standardet ndër lojtare – një tjetër objektiv kyç për zhvillimin e futbollit. Unë e di që e ardhmja e futbollit në Kosovë është në duar të mira dhe shumë të afta, falë edhe mbështetjes së presidentes Vjosa Osmani dhe qeverisë së saj. Nuk kam asnjë dyshim se ju do të vazhdoni ta bëni lojën e bukur edhe më të bukur falë mendimit tuaj inteligjent dhe krijues, si dhe përmes vendosmërisë dhe punës suaj të palodhur. Ju tashmë keni shumë për çfarë të gëzoheni vitin e ardhshëm – dhe ju uroj suksese në fushatën e ardhshme të kualifikimeve për Kupën e Botës FIFA 2026, e cila për herë të parë do të përfshijë 48 ekipe”, ka përfunduar adresimin presidenti i FIFA-s, Infantino.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një dokumentar për eksperimentin special “Big Brother” po transmetohet këtë…