Infektologu Ahmeti: Nuk do të ketë valë të dytë të Covid-19 në vjeshtë
Infektologu Salih Ahmeti nuk beson se do të kemi një valë të dytë të Covid-19 në vjeshtë.
Sipas tij, nëse koronavirusi do të ndjek rrjedhën natyrore të virusëve, nuk do të përballemi sërish me të.
“Duke u bazuar në disa fakte, qoftë të përvojës sime por edhe në disa fakte shkencore, mendoj se nuk ishte dashur të kemi valë të dytë. Po flitet për valën e dytë të mundshme në periudhën e vjeshtës për faktin se virusët me kohë humbin virulencën e tyre apo atë që ne e njohim si forcë të veprimit të tyre, si agresivitet të tyre. Faktori i dytë është se njerëzit megjithatë e fitojnë një imunitet kolektiv, një masë të caktuar ku ky imunitet i masës është në nivele të ndryshme, por çfarëdo varianti në të gjitha vendet ne do të kemi një imunitet të masës. Faktori i tretë është se në qoftë në nivel vendor qoftë në nivel global, i njohim pak a shumë sjelljet, nëse jo krejt, së paku sjelljet e tija klinike dhe epidemike. Unë besoj se muajt e ardhshëm ne do ta njohim edhe më mirë këtë virus dhe do të kemi përvoja që ne shumë më lehtë dhe shumë më mirë ta lokalizojmë në rast të shfaqjeve të tij. Personalisht, nuk mendoj se do të kemi ndonjë valë të dytë të shpërthimit të këtij virusi”, ka thënë Ahmeti për RTK-në.