Infektologu Ahmeti: Të infektuarit po vijnë vonë dhe po vijnë rëndë
Infektologu Salih Ahmeti ka folur lidhur me gjendjen e pacientëve me Covid-19 që janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive. Ahmeti në “Edicionin Special” në “Klan Kosova” tha se rastet që po pranohen në trajtim kanë edhe komplikime të tjera shëndetësore.
“Këto rastet që kanë rezultuar pozitivë sot i kemi pranuar në spital. Gjithsej i kemi 62 veta të shtrirë me Covid-19, plus edhe një grup që është në pritje të rezultateve. Pasi t’u merret mostra do të pritet për rezultatet virologjike të tyre.
Aq sa është brengosëse numri i rasteve që dalin, aq më brengosëse është edhe se kemi filluar të pranojmë numër më të madh të rasteve. Rastet janë gjithnjë e më të rënda dhe kur vijnë kanë edhe komplikime, si raste pak a shumë të vonuara.
Kishte me qenë e mundur që ne t’i pranojmë këto raste në fazat sa më të hershme, sepse përdorimi sa më i hershëm i terapisë në ditët e hershme është përcaktues i ecurisë së shërimit”, tregoi Ahmeti.
Ai shtoi se mënyra e testimit nuk po bëhet në mënyrë të rastësishme, por nga kontaktet e mëparshme apo identifikimi në rrethet familjare si raste të kontaktit.
Ahmeti theksoi se ky numër duhej të ishte edhe më i madh nëse do të kishte testime edhe më shumë. “Ndërsa mostrat janë mostra të hulumtimit dhe gjurmimit e personave të cakut, pra janë mostra të kontaktit dhe nuk janë mostra të rastësishme. Ato janë marrë nga rrethet familjare apo identifikuar nga rastet e mëparshme. Natyrisht, numri i rasteve duhet të jetë edhe më i madh duke pasur parasysh shpërndarjen e virusit”, shtoi Ahmeti.