Infektologu Tolaj tregon nëse Kosova duhet ta marrë vaksinën e AstraZeneca, të cilën e pezulloi Gjermania
Shqetësimet për efekte anësore kanë shtyrë disa shtete që të pezullojnë vaksinën e AstraZeneca por kjo kompani thotë se në 17 milionë persona që janë vaksinuar nuk është vërejtur shqetësimi.
Në vendin tonë infektologët thonë se bëhet fjalë për raste të izoluara dhe vaksinën inkurajojnë qytetarët që ta marrin.
Kosova e cila deri më tani është e vetmja në Europë që s’ka vaksinuar qytetarët e saj është në pritje të vaksinës së AstraZeneca përmes projektit të Covax.
Infektologu Ilir Tolaj thotë se rastet e trashjes së gjakut janë të kufizuara dhe se vaksina e AstraZeneca duhet të merret.
“Të dhënat kur analizohen në tërësi tregojnë se këto efekte anësore, në veçanti kjo e fundit, e ngjizjes së gjakut, është një efekt anësor jashtëzakonisht i rrallë. Në 17 milionë vaksinat e dhëna të prodhimit AstraZeneca në Bashkimin Europian vetëm 40 raste janë evidentuar deri tash që kanë pasur një çrregullim të tillë”, tha Tolaj.
“Përgjigjja e shkurtër, po ne duhet t’i pranojmë, fatkeqësisht se nuk i kemi më herët, fatkeqësisht që tashmë nuk kemi filluar vaksinimin”, shtoi ai.
Përkundër që OBSH i ka quajtur shqetësime të pabaza Gjermania dhe Holanda janë shtetet e fundit që për të njëjtat shqetësime e kanë pezulluar këtë vaksinë, teksa u bashkohen shteteve si Danimarka, Republika e Irlandës, Norvegjia, Bullgaria dhe Islanda që kanë marrë këtë veprim.
Efikasiteti i vaksinës AstraZeneca Ocford në parandalimin e infeksioneve simptomatike ishte 74.80 për qind.