Infektologu Valbon Krasniqi, ministër i Shëndetësisë?

01 maj 2020 | 08:54

Infektologu Valbon Krasniqi nuk ka mohuar e as pohuar se do të jetë ministër i Shëndetësisë në qeverinë Hoti, e cila mund të votohet të shtunën. I ftuar në Interaktiv të KTV-së, ai tha se zyrtarisht nuk ka një ofertë, porse ka “interesim serioz”. “T’ju them të drejtën, Kosova ka mjaft njerëz të përgatitur për ta udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë. Do të jetë privilegj dhe barrë e rëndë për këdo. Do të apeloja për një fakt, duhet të fillojmë të mendojmë si kolektivë, të bëjmë punë grupore. Kushdo që të jetë nuk duhet të mendojë se i vetëm mund të menaxhojë një pandemi. Rol kanë të gjithë, institucionet, mjekësia primare, forcat e rendit, bizneset, individët po ashtu kanë rolin e vet. Një hallkë nëse nuk funksionon dështon gjithçka”, ka thënë Krasniqi.

I pyetur për ofertën për ta zëvendësuar Arben Vitinë, ai është shmangur nga përgjigjja.

“Ofertë zyrtare ende nuk kam, kam dëgjuar lajme të tilla se ka interesim serioz. Unë thash se kujtdo që i ofrohet, duhet ta marrë me përgjegjësi të lartë, duhet të ketë prioritet pandeminë dhe ndërtimin e sistemit të shëndetësisë”, ka shtuar Krasniqi.

Infektologu Krasniqi, po ashtu, ka thënë se ka ende kohë për qytetarët kur duhet të nisin të relaksohen. Ai tha se janë rreth 6 000 raste që po monitorohen dhe kjo punë e mirë në terren, sipas tij, duhet të shfrytëzohet për krijimin e sistemit të informimit të zbulimit të rasteve.

Ka folur edhe për dyshimet se koronavirusi mund të kthehet te personat që e kanë kaluar atë. “Virusi është shumë vështirë të kthehet përsëri. Pra një e ka kaluar, për një periudhë të shkurtër, është e vështirë të kthehet. Brenda sezonit jo se jo”, ka thënë ai. Sipas tij, vendi duhet të përgatitet për valët e ardhshme të pandemisë, pasi edhe kur të kalojë kjo fazë, do të ketë raste sporadike.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pamjet prekëse të një vejushe që gatuan gurë për tetë…