Infektologu Valbon Krasniqi tregon nëse do të jetë ministër i Shëndetësisë në Qeverinë “Hoti”
Infektologu Valbon Krasniqi është përmendur si një ndër emrat e mundshëm për të drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në media gjatë ditës se sotme është raportuar se LDK-ja ka propozuar që ministër i Shëndetësisë të jetë infektologu Valbon Krasniqi.
Por, një gjë të tillë e ka mohuar vetë Krasniqi. Ai ka thënë se deri me tani nuk ka marrë një ofertë të tillë dhe se për këtë kishte dëgjuar në media. “Jo, edhe unë e kam parë në media, madje kam qenë në punë duke u marrë me pacient me Covid-19 dhe në lajme e dëgjova. Për momentin mua nuk më ka kontaktuar askush dhe nuk e di se nga ka dal ky lajm. Por, mua personalisht nuk me ka kontaktuar askush për këtë punë”, ka thënë Krasniqi.
Ndryshe, pasi presidenti i vendit, Hashim Thaçi i dha mandatin Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo parti është duke negociuar edhe me partitë e tjera parlamentare si AAK-në, Nismë, si dhe partitë politike të komuniteteve pakicë për formimin e Qeverisë së re.
Pjesë e kësaj qeverie, kanë deklaruar se nuk do të jenë PDK-ja dhe AKR-ja.
Ndryshe, ajo çka dihet deri me tani është se LDK do t’i ketë shtatë ministri, AAK-ja do të ketë katër ministri, Nisma dy ministri dhe po aq ministri partitë tjera politike joshumicë./lajmi.net.