Infermierët të hënën në protestë, kërkojnë paga më të larta për ndërrimin e natës
Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë, me një protestë simbolike të hënën, do t’i kërkojë Qeverisë së Kosovës rritjen e pagesës së ndërrimeve të natës.
Lajmin e ka bërë me dije sekretari i kësaj sindikate, Enlirat Duraku, i cili ka thënë se kërkesat e tyre nuk po merren parasysh nga ekzekutivi.
“Sindikata e Infermierëve dhe Mamive me kohë ka parashtruar kërkesën për rritjen e pagesës për ndërrimin e natës për infermierë, mami e profesionistë shëndetësorë edhe tek institucionet relevante. Kjo kërkesë ka mbetur e pashqyrtuar. Tani ne jemi detyruar që ta organizojmë një protestë simbolike paqësore sepse vendi ynë po kalon periudhën e pandemisë. Protesta do të fillojë në ora 10:00 dhe do të jetë protestë simbolike”, ka thënë ai për “EO”.
Ai ka theksuar se propozimet që janë bërë në emër të komunitetit, të infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë nuk paraqesin vullnet, sepse sipas institucionet e vendit nuk janë konsultuar me ta.
“Sinqerisht propozimet që po bëhen në emër të komunitetit infermierë, mami dhe profesionistë shëndetësorë nuk paraqesin vullnetin sepse nuk jemi të konsultuar, mirëpo nëse do të ishim të konsultuar secili do të jepte kontributin tij”, ka thënë ai.
Shqetësimi më i madh sipas tij mbeten të infektuarit infermierë me Covid-19 të cilët kanë mbetur pa mbështetje nga qeveria.
“Populli jonë njihet si popull human dhe është i mirëseardhur për komunitetin tonë. Shqetësimi im më i madh janë 300 të infektuarit infermierë që kanë mbetur pa mbështetje institucionale”, është shprehur Duraku.