Infermieri i QKUK-së: Paguhemi 0.69 cent në orë, politikanët kërkojnë dhoma ‘VIP’

17 korrik 2020 | 17:43

Infermieri i Klinikës së Reumatologjisë në QKUK, Enlirat Duraku, i cili njëherësh është sekretar i përgjithshëm në Sindikatën e infermierëve, ka shkruar një artikull rreth punës së tyre.

Ai ka thënë se marrin 18 euro për një ndërrim dhe se nuk kanë ujë të pijshëm

“…këta që po e mbështesin që pagesa të jetë 18 euro  ose që nuk reagojnë, qoftë politikanë apo të tjerë, në rast se infektohen kërkojnë dhoma ‘VIP’ si dhe kujdes maksimal infermieror”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Facebook”.

Shkrimi i plotë i tij dhe pa ndërhyrje:

Infermierët dhe puna nën traumë psikologjike!

18 € paguhemi për një ndërrim nate ose më saktë 0.69 cent në orë! Pothuajse ato i shpenzojmë duke llogaritur ndërrimin e ditë dhe të natës, sepse mungojnë kushtet. Le të jetë e ditur se as ujë të freskët nuk kemi, ndërsa etja pas mbajtjes deri në 6 orë pandërprerë të maskave dhe veshjeve mbrojtëse, është e tmerrësisht e madhe. Pastaj ushqimi, një copë buke dhe një jogurt, eventualisht një copë mishi, të cilin gjatë përtypjes ka mundësi të fitosh “kallje të muskujve” të fytyrës.

Në anën tjetër këta që po e mbështesin që pagesa të jetë 18€ ose që nuk reagojnë, qoftë politikan apo të tjerë, në rast se infektohen kërkojnë dhoma VIP si dhe kujdes maksimal infermieror.

Duhet llogaritur ankesat dhe raportimet që në disa klinika infermierët po detyrohen të punojnë vetëm me një mantel të kaltër dhe një maskë kirurgjikale, eventualisht me një maskë pa filtër e cila nuk ofron asnjë mbrojtje sepse ajri i njëjtë futet përmes saj gjatë qëndrimit në dhomat e pacientëve me Covid-19.

Më çudit fakti se as institucionin e as shtetin nuk e brengos fakti që çdo ditë infermierët po infektohen, mbi 160 deri tani !

Kam një lutje për kryeinfermierët, me shpresë që nuk do u mbetet hatri si herëve tjera:

Mos e ruani materialin mbrojtës, ruajeni infermierin, kolegun tuaj, sepse do të vijë koha që nuk do ketë se kush t’i shfrytëzoj ato pajisje, ndërsa pandemia do kalon një ditë, ndërsa ne do mbesim, të paktën ata që kanë fat ! Duket se e keni keqkuptuar rolin tuaj, nuk paguheni për ta kursyer materialin. Sidomos tani në pandemi, puna juaj është që të identifikoni mungesat dhe materialin e nevojshëm ta distribuoni sipas nevojës dhe kërkesave, e nevojat dhe kërkesat ju i merrni nga infermierët, sidomos nga ata në ndërrime, sepse ju nuk keni nga ta dini se cilat janë nevojat gjatë ndërrimeve ose vikendeve sepse nuk kujdestaroni e as nuk jeni gjatë vikendeve në punë, ndërsa ata që janë në barnatoret e klinikave, ju lutem përgjigjuni kërkesave të kryeinfermierëve, lehtësojani punën edhe atyre.

Ftoj departamentet relevante e veçanërisht drejtorin e Departamentit të Infermierisë në QKUK, edhe pse dihet që janë të ngarkuar me punë, që të gjejnë kohë dhe të merren seriozisht me këtë çështje ndërsa për infermierët që nuk kanë mbrojtje adekuate mendoj se do nuk do ishte shkelje nëse refuzojnë të futen në dhomat e pacientëve me Covid-19 deri në sigurimin e pajisjeve mbrojtëse të përshtatshme dhe të sigurta për punë. Flisni me infermierët individualisht, jo në publik, sepse ka mundësi për shkak të frikës nga hakmarrja nuk do flasin lirshëm. Do të befasoheni me përgjigjet e tyre.

Mendoni për familjet tona, nënat, baballarët, fëmijët tanë !

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për medie të…