Infermierja Azizi-Sadiku: Kongresi vend adekuat për të prezantuar punime për kirurgjinë
Punimin për pritshmëritë dhe kënaqshmëritë e pacientëve në repartet kirurgjike, infermierja e Qendrës e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, Kaltrina Azizi-Sadiku zgjodhi ta prezantoj në Kongresin e katërt Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.
Sipas Azizi-Sadikut, Kongresi Klinik është hapësira e duhur kur mjekët mund t’i shpalosin të dhënat me rëndësi për shërbimet kirurgjike në Kosovë.
“Kongresi i katërt Klinik është vendi më adekuat për të prezantuar të dhëna për kirurgjinë meqenëse po flasin për hulumtime shumë të mëdha, arritje shkencore në fushën e kirurgjisë konsideroj se pritshmëria dhe kënaqshmëria e pacientëve si urë lidhëse infermieri mes mjekut dhe pacientit duhet me u sjellë me statistika të sakta”, deklaroi infermierja, Azizi-Sadiku.
Kaltrina Azizi-Sadiku e cila është edhe profesoreshë në njërin nga kolegjet Kosovë, në cilësinë e ligjërueses në Kongresin e Katërt Klinik prezantoi disa të dhëna për një hulumtim që ka bërë për pritshmëritë dhe kënaqshmëritë e pacientëve në repartet kirurgjike në vend.
Nga ky hulumtim del se ekziston dallim në mes të pritshmërive fillestare të pacientëve dhe kënaqshmërisë me shërbimet që ata marrin.
“Hulumtimi ka pas të bëjë me dallimet për pritshmëritë dhe kënaqshmëritë të pacientëve në repartet kirurgjike në Kosovë, gjithashtu si hulumtim kemi bërë një dallim mes institucioneve publike dhe private… Ekziston dallim në mes të pritshmërive fillestare dhe pacientëve dhe kënaqshmërisë me shërbimet që ata marrin. Hulumtimi ka qenë i fokusuar në atë çka pacientët presin me marr duke u nis nga marrja e informacioneve të detajuara, komunikimit mes stafit infermieror, përshtypjet e tyre për pastërtinë dhe higjienën e repartit, qëndrimin në një dhome me dy apo më shumë pacientë. Bazuar në rezultatet tona sipas studimit tregon se kohëzgjatja e pritjeve ka ndikuar dukshëm në nivelin e kënaqëshmërisë së pacientëve ndaj kujdesit infermieror. Pacientët që kanë marr shërbime në këto reparte kanë pritur që shërbimi ka me qenë i menjëhershëm, mirëpo ka pas faza të pritjes që kanë ndikuar në kënaqëshmërit”, tha ajo.
Në ditën e dytë të Kongresit të Katërt Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës i cili po mbahet në Prishtinë po marrin pjesë rreth 500 profesionistë shëndetësorë.
Krahas pjesëmarrësve nga vende të ndryshme të botës kanë ardhur për të ligjëruar 50 kirurgë të njohur, ndërsa edhe 64 ligjërues janë nga Kosova e vendet e rajonit./KP