
Infermierja e Johnsonit: E trajtuam kryeministrin si çdo pacient tjetër
“Boris Johnsoni ishte, thjesht, një pacient tjetër për të cilin ne u përpoqëm të bënim më të mirën tonë të mundshme”, ka thënë infermierja me origjinë nga Zelanda e Re, e cila është cilësuar si personi që e ndihmoi kryeministrin britanik në çastet e vështira që kaloi në spital.
Kryeministri britanik ka qëndruar në spital për 1 javë, ku 3 ditë ka qenë në terapi intensive, pas infektimit me koronavirus. Pasi shërua dhe la spitalin, Boris Jonson falënderoi të gjithë stafin mjekësor që u kujdes për të gjatë qëndrimit në spital.
“Unë ju kam borxh jetën time”, mësohet t’u ketë thënë Johnsoni mjekëve që i shërbyen teksa ishte në terapi intensive. Pjesë e stafit ishte edhe infermierja Jenny McGee u cila lavdërua nga kryeministri pasi qëndroi pranë shtratit të tij atëherë kur gjërat mund të kishin marrë një rrugë tjetër.
Ajo nuk priste që ai ta përmendte atë gjatë deklaratave të tij, ndaj mbeti e befasuar. Jenny ritheksoi se kryeministrit Johnson nuk iu nënshtrua asnjë trajtim i veçantë dhe shtrimi i tij në përkujdesjen intensive ishte absolutisht i nevojshëm.
“Ne i marrim shumë seriozisht pacientët të cilët shtrohen në terapi intensive, pasi ata vijnë tek ne dhe kjo është diçka shumë e frikshme, ndaj nuk duhen marrë lehtë. Për ne si repart, ai ishte një pacient më shumë, për të cilin ne po përpiqeshim të bënim më të mirën tonë të mundshme”, ka shtuar infermierja.