Inflacioni në Evropë rritet para vendimit për normën e interesit
Inflacioni i dhembshëm i Evropës është rritur edhe më, duke shtuar rëndesën ndaj ekonomive familjare dhe duke mbajtur trysninë ndaj Bankës Qendrore Evropiane (BQE) për të miratuar atë që mund të jetë një tjetër rritje e madhe e normës së interesit.
Çmimet e konsumit në 20 vendet e Bashkimit Evropian që përdorin valutën euro janë rritur për 7 për qind në prill, krahasuar me një vit më parë, një shifër pak më e lartë se shkalla e përvitshme prej 6.9 për qind në mars, ka njoftuar agjencia e statistikave e BE-së, Eurostat, të martën.
Inflacioni i çmimeve të ushqimeve është zbutur paksa, duke rënë në një shkallë vjetore prej 13.6 për qind nga 15.5 për qind sa ishte në mars, përderisa çmimet e energjisë pësuan rritje më modeste prej 2.5 për qind, raporton “AP”.
Inflacioni bazë, i cili nuk përfshin ushqimin dhe karburantet, është ngadalësuar paksa, por ende ishte i lartë, prej 5.6 për qind, duke forcuar bindjen se BQE-ja do të vazhdojë me fushatën e saj për mposhtjen e inflacionit me rritje të normës së interesit.
Analistët kanë thënë se takimi i BQE-së, i paraparë për të enjten, në Frankfurt, mund të rezultojë me një rritje prej një çereku apo gjysmë pike të përqindjes.
Një ngritje e vogël do të ishte e moderuar në një varg rritjesh të shpejta nga banka, përderisa një ndryshim më i madh do të forconte shqetësimet se inflacioni ende nuk është rrugës së rënies drejt 2 përqindëshit, që konsiderohet niveli më i mirë për ekonominë.