Inflacioni në Kosovë, opozita akuzon qeverinë se po e vështirëson jetën e qytetarëve
Inflacioni vjetor në Kosovë ka arritur në 20 për qind. Kjo rritje e inflacionit përkthehet me rritjen enorme të çmimeve të shumë produkteve ushqimore në Kosovë këtë vit.
Nga pozita kanë thënë se për shkak të luftës në Ukrainë ka ndodhur që inflacioni të përfshijë edhe Kosovën, kurse nga opozita kanë akuzuar qeverinë se vetëm po e vështirëson jetën e qytetarëve.
Agon Batusha, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se propozimet që janë bërë nga opozita sa i përket daljes nga kriza janë të rrezikshme sepse mund të provokojnë ngritje të normës së inflacionit.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të nxjerrë Ligjin për mbrojtjen e produkteve bazë, sepse ka tregtarë të cilët e shfrytëzojnë këtë situatë dhe i ngrisin çmimet paarsyeshëm.
“Inflacioni nuk e ka kapur vetëm Kosovën, por është në përgjithësi në botë për shkak të luftës në Ukrainë e cila ka ndikuar në ngritjen e çmimeve për shkak të mungesës së energjisë dhe materialeve bazë. Ka metoda se si mund të përballemi me inflacionin dhe disa që janë propozuar nga opozita janë të rrezikshme sepse mund të provokojnë ngritje të normës së inflacionit”.
“Metoda më e mirë është që Qeveria e Kosovës të sjellë Ligjin për mbrojtjen e produkteve bazë sepse ka tregtarë të cilët e shfrytëzojnë këtë situatë dhe i ngrisin çmimet paarsyeshëm. Ndër vështirësitë për qytetarë është ngritja e çmimeve por aq sa mundemi si qeveri e mazhorancës te bëjmë është të mos lejojmë produktet bazë të rriten çmimet në mënyrë të paarsyeshme. Çmimi i peletit i cili është ngritur shumë dhe kur është shikuar importi e kemi parë se rritja është enorme dhe shkakton kriza të tjera nga tregtarë që e keq shfrytëzojnë këtë”, ka thënë Batusha.
Ndërsa deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, ka thënë se inflacioni në Kosovë është më i larti në rajon mbi 30 për qind.
Bunjaku ka theksuar se qytetarëve u është bërë jeta e papërballueshme. Andaj sipas saj, edhe Ligji i pagave shkon në Kuvend do të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese për shkak të shumë ankesave rreth koeficienteve.
Ajo ka thënë se edhe përkundër shumë propozimeve të opozitës siç ishte heqja e TVSh-së dhe akcizës, mirëpo sipas saj, qeveria është e interesuar për pushtet e jo qytetarë të vendit, raporton “EO”.
“Na qysh në fillim kemi reaguar si LDK. Dhe po ashtu e kam diskutuar në Kuvend që rritja e çmimeve për qytetaret, inflacioni kaq i lartë mbi 30 për qind në Kosovë krahasuar me shtetet fqinjë është jashtëzakonisht i lartë. Qytetarëve iu është bërë jeta e papërballueshme edhe pse po flitet që ligji i pagave do të vije në kuvend unë jam i bindur që do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese sepse ka shumë ankesa rreth koeficienteve të Ligjit te pagave”.
“Pritet të ketë edhe rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe mungesë të energjisë. Qeveria po vet lavdërohet se kemi rritje ekonomike ndërsa mjetet që po i mban në thesarin e vet po e humbin vlerën ndërsa qytetarët po pësojnë dhe nuk po mund t’i përballojnë rritjet e çmimeve. Ne kemi dhënë propozime për heqjen e TVSh-së dhe akcizës mirëpo nuk kanë shkuar në veshin e qeverisë sepse Qeveria është e interesuar për pushtet e jo qytetarë të vendit”, ka thënë Bunjaku.