Inflacioni po ua vështirëson krizën gjermanëve
Prej rritjes së çmimeve dhe inflacionit gjermanëve do t’u duhet t’i përdorin thuajse gjithë të ardhurat për të përballuar jetesën e përditshme.
Analistë të disa bankave në Gjermani, ndër të tjera Sparkasse, Volksbank dhe Raiffeisen Bank janë të mendimit se qytetarëve do t’u mbeten më pak para për të kursyer, sepse të ardhurat do t’u nevojiten për të përballuar shpenzimet e përditshme të jetesës.
Sipas ekspertëve të grupit të Bankave të Kursimeve, shumica e gjermanëve po jetojnë gjithnjë e më shumë limitet e tyre financiarë për shkak të inflacionit të lartë.
“Ne presim që deri në 60 për qind e konsumatorëve do ta humbasin fuqinë blerëse për shkak të rritjes së konsiderueshme të çmimeve”, tha presidenti i shoqatës Helmut Schleweis.
Edhe grupi i bankave Volksbank dhe ai i Raiffeisen Bank po vëzhgojnë se klientët kanë më pak hapësirë për të manovruar.
“Inflacioni i lartë u rrëmben konsumatorëve fuqinë blerëse, gjë që redukton aftësinë e tyre për të kursyer”, thekson drejtori i Bordit të Drejtorëve të këtij grupi.
Sipas ekspertëve bankarë situata e kursimeve pritet të përkeqësohet ndjeshëm veçanërisht në vjeshtë dhe dimër, sidomos për personat me të ardhura të ulta dhe të mesme.
Situata e tensionuar duket që tashmë qartë në llogaritë bankare, sepse shumë vetë marrin kredi afatshkurtra ose hyjnë në minus. /Deutsche Welle/