Informatori i Trumpit është “oficer i CIA-s”
Informatori, ankesa e të cilit ka çuar në nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit amerikan, Donald Trump, është oficer i CIA-s, raportojnë mediat amerikane.
Zyrtari dikur ka punuar në Shtëpinë e Bardhë, shkruajnë “New York Times”, “Washington Post” dhe “Reuters”.
Informatori ka thënë se zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë bërë përpjekje “t’i fshehin” të gjitha detajet e një bisede telefonike midis Trumpit dhe presidentit të Ukrainës.
Trump ka kërkuar të dijë se kush ia ka dhënë detajet informatorit, duke thënë se burimi mund të krahasohet me një spiun. Në telefonatën e 25 korrikut, Trump thuhet se i ka bërë presion homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të hetuar rivalin e tij kryesor nga Partia Demokratike, Joe Biden.
Ankesa, e publikuar të enjten, thotë se transkriptimi i bisedës nuk është ruajtur në sistemin e zakonshëm kopmjuterik, por në një sistem të veçantë të përdorur për informacione të klasifikuara.
Demokratët thonë se Trump ka kërkuar ndihmë nga jashtë për të njollosur Bidenin- i cili shihet si kandidat i mundshëm për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020- dhe se ka përdorur ndihmën ushtarake për Ukrainën si mjet për të bërë pazare.
Trump, republikan, mohon çdo keqbërje, ndërsa nisjen e procedurave të shkarkimit e ka cilësuar si “mashtrim” dhe “gjueti shtrigash”.
Ai ka pranuar se personalisht i ka bllokuar rreth 400 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, disa ditë para se të fliste me Zelenskyn, por ka mohuar se i ka bërë presion atij për të hetuar Bidenin.
Më shumë detaje për informatorin nuk dihen. Një avokat i tij ka paralajmëruar se përpjekja për ta identifikuar atë mund ta dëmtojë.
Në ndërkohë ka dalë edhe një audio-incizim, në të cilin Trump kërkon të dijë se kush i ka ofruar detaje informatorit.
“Dua të di se kush është personi, kush është personi që i ka dhënë informacionet, sepse ai është i afërt me një spiun”, tha presidenti në disa deklarata private me stafin në Kombet e Bashkuara. Incizimi është siguruar nga “Los Angeles Times”.
Çfarë thuhet në ankesë?
Ankesa e informatorit e akuzon Trumpin për “shfytëzimin e pushtetit për të kërkuar ndërhyrje nga një vend i huaj në zgjedhjet e 2020-ës në SHBA”.
Dokumenti i deklasifikuar e karakterizon sjelljen e presidentit si një “problem serioz ose flagrant” dhe si “abuzim ose shkelje të ligjit”.
Shkelja e pretenduar ka të bëjë me kërkesën e Trumpit që homologu i tij të hetojë akuzat e pabazuara kundër Bidenit.
Informatori ka thënë në ankesë se ka mësuar nga disa burime se zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë kanë ndërhyrë për t’i “mbyllur” të gjitha regjistrimet e thirrjes, veçanërisht një transkriptim zyrtar fjalë për fjalë./rel/