Infrastruktura sportive, shqetësimi kryesor i KF “Drini i Bardhë”

18 prill 2018 | 10:46

Skënder Brahaj ka apeluar edhe një herë te pushtetarët se duhet të bëjnë çmos për të investuar në infrastrukturën sportive, pasi shkolla e futbollit “Drini i Bardhë” në Gjonaj po përballet me probleme të mëdha, kurse kjo trevë numëron 21 000 banorë dhe e meritojnë një infrastrukturë më të denjë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, i shoqëruar nga deputeti Nezir Çoçaj, ka vizituar fshatin Gjonaj të Prizrenit dhe Klubin e Futbollit “Drini i Bardhë”. Ministri Gashi, me kryesinë e klubit, ka biseduar për sfidat dhe problemet infrastrukturore me të cilat përballet klubi hasjan me traditë shumëvjeçare. Mungesa e një fushe sportive për përgatitjen e lojtarëve, por edhe për zhvillimin e garave e të ndeshjeve si dhe organizimi i turneve, është brengë e sportdashësve të këtij lokaliteti.

Gashi është zotuar se Ministria e Sportit dhe vetë ai do të angazhohen që gjatë këtij viti t’i nisin investimet për rregullimin e fushës sportive të fshatit Gjonaj. KF “Drini i Bardhë” u rithemelua në qershor të vitit 2010 në Gjonaj në prani të 60 delegatëve, ku u mor vendimi që Klubi i Futbollit “Drini i Bardhë” të funksionojë në Gjonaj duke përfshirë fëmijët talentë të futbollit nga i gjithë regjioni i Hasit dhe më gjerë. Në kuadër të këtij klubi funksionon edhe shkolla e futbollit me të gjitha grupmoshat nga 7 deri 17-vjeç.

Drejtori i KF “Drini i Bardhë”, Skënder Brahaj, ka thënë për “Epokën e re” se funksionimin e kësaj shkolle futbolli po e bëjnë me vështirësi, pavarësisht prej vullnetit të madh që fëmijët kanë. Sipas tij, problemi më i madh që ka kjo shkollë është infrastruktura sportive. “Vështirësitë më të mëdha tash e sa vite po na përcjellin në infrastrukturë. Jemi drejtuar disa herë me kërkesa zyrtare pranë Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport por, fatkeqësisht, nuk janë përfillur kërkesat tona. Ne si shkollë e futbollit, edhe pse kemi vështirësi, bëjmë gara në Ligën Regjionale të Futbollit në Prizren që organizohet nga FFK-ja. Rregullisht marrim pjesë në turnetë sportive, në Durrës dhe në Tirana Internacional”, ka thënë Brahaj, i cili tregon se suksesi më i madh që ka arritur kjo shkollë ishte në qershor të vitit 2014, kur në Zvicër, në turneun internacional “Pully Football”, me U13-shat u renditën në vendin e tretë. “Gjatë qëndrimit në Zvicër patëm rastin për dy orë ta vizitojmë shtëpinë e futbollit UEFA, në atë kohë edhe ne dhamë kontributin tonë në lobim për pranimin e FFK-së në familjen e madhe evropiane. Të gjitha këto na i mundësuan bashkatdhetarët tanë Deli Osmankaq dhe Nexhat (Islam) Çoçaj, të cilëve u jemi shumë mirënjohës”, ka shtuar ai.

Skënder Brahaj është i zhgënjyer se si një trevë me 21 000 banorë të mos e ketë një fushë të mirëfilltë për rini. “Çdo ditë duhet t’i bartim fëmijët 10 kilometra deri në Arbanë tek stadiumi për ushtrime dhe lojë.  Mbesim me shpresë se kërkesat tona që i kemi bërë dhe janë të arsyeshme do të realizohen. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë dashamirët e sportit që herë pas here po na ndihmojnë me pajisje sportive (ndërresa)”, ka deklaruar Brahaj.

Në vitin kalendarik 2017 kjo shkollë e futbollit kishte ftesë zyrtare për turneun ndërkombëtar në Barcelonë të Spanjës “Mundialito 2017” por, për shkak të financave, nuk kishte mundësi të jetë pjesëmarrëse. “Ne ishim të vetmit e ftuar nga Ballkani. E falënderojmë Simao Mateus Mendes dhe Rui Lopes Ferreira që ishin mjaft këmbëngulës që ne të jemi pjesë e asaj ngjarje botërore”, ka përfunduar Skënder Brahaj.

(Veton ZYMBERI)  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se…