Iniciativa e Veselit refuzohet nga LDK-ja, AAK-ja dhe PSD-ja
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka prezantuar të martën Paktin kundër korrupsionit, ku iu ka bërë thirrje të gjitha partive që ta nënshkruajnë atë.
Mirëpo, një iniciativë e tillë është refuzuar nga LDK-ja, AAK-ja dhe PSD-ja.
Ismet Beqiri nga LDK-ja ka deklaruar për “Express” se ky propozim i kryetarit të PDK-së është pjesë e një fushate qesharake.
“Së pari duhet ta dimë se Veseli nuk është në pozitën të flasë për luftën kundër korrupsionit. Një pako e tillë dhe një kërkesë e tillë është hipokrizi”, ka thënë Beqiri.
Ndërsa, këshilltari i Ramush Haradinaj, Eroll Belegu, e ka quajtur të dhimbshme iniciativën e Veselit.
Në anën tjetër, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka thënë se kjo parti refuzon ta nënshkruaj një pakt të propozuar nga PDK-ja.
“PDK-ja duhet të shkoj në opozitë. I ka bërë mjaft dëme vendit. Sigurisht që nuk do të nënshkruajmë asgjë qe propozohet nga PDK. Qytetarët do të vendosin me votë se kush do ti përfaqësoj”, ka thënë Kuçi për “Express”.