Iniesta ‘var këpucët’: Lot emocioni dhe krenarie, se kisha menduar kurrë
Një konferencë shtypi, në një ditë shumë simbolike (8 tetor, për të kujtuar numrin që e shoqëroi pothuajse gjatë gjithë karrierës së tij), në vendlindjen e tij, në Barcelonë, i rrethuar nga dashuria e njerëzve që e donin dhe me gjithë familjen e tij të pranishme, Andres Iniesta vendosi të shpallë zyrtarisht tërheqjen nga futbolli profesionist.
“Doja të falënderoja të gjithë ata që më shoqëruan sot dhe të gjithë ata që nuk arritën të vinin në këtë ditë të veçantë. Do të më lejoni të emocionohem sot, nuk do ta kisha menduar kurrë… (shpërthen në lot). Nuk do ta kisha menduar kurrë se do të kishte ardhur kjo ditë, të gjithë këta lot, që kemi derdhur në ditët e fundit, janë lot emocioni dhe krenarie, janë lotët e atij djalit nga Fuentealbilla, që pas shumë sakrificash nuk u dorëzua kurrë…”, ka thënë Iniesta.
“Këto vlera kanë qenë thelbësore në jetën time dhe prandaj sot ndihem shumë krenar për gjithë këtë rrugëtim. Arrita ëndrrën time për t’u bërë një futbollist profesionist, ishte ajo që doja për më tepër”, ka shtuar Iniesta.
Karriera e ish-mesfushorit ka qenë vërtet e jashtëzakonshme. Me fanellën e Barcelonës hyri në historinë e futbollit, duke fituar gjithçka: 4 Liga të Kampionëve, 3 Botërorë për Klube, 9 kampionate, 3 Superkupa Evropiane, 6 Kupa të Mbretit dhe 7 Superkupa Spanjolle, duke u bërë një nga futbollistët më të rëndësishëm në histori. Me Spanjën ai fitoi dy Evropianë (2008 dhe 2012) dhe një Botëror, me golin vendimtar në finale kundër Holandës që e bëri përfundimisht një legjendë të sportit.