Inkasimi i tatimit në pronë rritet për 40 për qind në Mitrovicë
Nën kryesimin e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, Bordi i Drejtorëve ka mbajtur të martën mbledhjen e rregullt në të cilën janë diskutuar tema të ndryshme.
Fillimisht në këtë mbledhje drejtori për Financa, Shukri Gashi, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me vendimin për fshirjen e borxheve në sistemin e taksave komunale për pjesën veriore, po ashtu drejtori Gashi ka kërkuar nga drejtorët që të caktojnë prioritetet e pagesave për drejtoritë tyre.
Gashi ka njoftuar ekzekutivin se falë punës dhe bashkëpunimit të mirë inkasimi i tatimit në pronë është rritur për 40 për qind.
Ndërkaq drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, edhe në këtë mbledhje ka trajtuar çështjen e sanimit të dëmeve tek varrezat e dëshmoreve.
Me këtë rast, ekzekutivi u pajtua që të ndiqen procedurat e rregullta të tenderimit, që për hir të familjarëve dhe qytetarëve të komunës sa më shpejtë të sanohen dëmet tek varrezat e dëshmorëve.
/Epoka e re/