Inkurajim për bashkëluftëtarin e “vëllain e armës” Shpendin
Shkruan: Hisen Berisha
Eh more Shpend Gjocaj – “studenti” i luftës!
E rëndë, shumë e rëndë kjo që po ndodhë. Por, ne jemi në moshë dhe shkallë vetëdije që do ta përballojmë edhe këtë sfidë.
E rëndë, e pa përballueshme do të ishte sikur Avdyl Gjoci, (e shumë Avdyla në Kosovë) të ishte gjallë e të dëgjonte se si vlerësohet sakrifica e tij me tërë familje, me pesë djem në front që në pushkët e para në Dukagjin, për ta përmbyllë me Kosharen krah Sali Çekut e Agim Ramadanit, me dy djem invalidë lufte. Me tërë familjen nga gruaja/nana e juej, e të gjithë fëmijët që s’kanë mundur të veshin uniformën, në mbështetje të luftës gjegjësisht njësive tona në vitin ’98, kur shumë kishin ende dilema nëse duhej të luftohej. Shto kësaj, një jetë përgatitje për ditën e lirisë, për arsimin kombëtar e rritjen tuej, nën okupim.
Tani, me na’e fye luftën, UÇK-në dhe lirinë, shumë e randë!
Prandaj, Kosova ka nevojë që të vihemi në mbrojtje të sajë ashtu siç e bëmë me armë, duhet të dijmë ta bëjmë edhe me mend/dije. Sepse brezi i neoujdistëve janë shumë të sofistikuar e të integruar. Dijnë të prekin në plagë atëherë kur dhemb më shumë. Por edhe janë të orkestruar e dijnë si të godasin. Jo! Nuk duhet të befasohemi as për keq. Janë shartim i kombinuar. Pengë i kodit të tyre gjenetik, të specializuar deri në “drill” nga fondacione soros-iste e “iste” tjera, për veprim me mendje të hapur apo pa mend fare. Por, këta s’po bëjnë tradhti! Këta, po e bëjnë detyrën. Filozofia e tyre kozmopolite e universale është filozofi e shkatërrimit të vlerave mbi të cilat po ndërtojmë lirinë, shtetin dhe të ardhmen tonë. Të tillët si pa të keq edhe fyejn edhe falin. Se këta ishin konservuar për tu vënë në veprim sot. Por, me faljen sipas kutit të tyre nuk e kuptojnë amnistinë e përgjithshme për të gjithë ata që u përfshinë në luftë dhe dallimin me faljen ndaj kryesve të krimeve. Këta na shohin të gjithëve në një rresht.
Kosova ka nevojë për Ne, derisa pjella serbe rankoviçiste e millosheviçiane të “katarsohet” nga trupi i Kosovës. Tani ka hy e po inkuadrohet në politikbërjen e shtetit të Kosovës me mision të qartë, çoroditjen e identitetit tonë shtetëror e kombëtar, brezi i katërt i pjellës serbe.
Duhet të ri konsolidohemi në “frontin” politik dhe jo vetëm edhe për një kohë.
Ua kemi borxh atyre që dhanë jetën. Përkundër faktit që ishim në anën e duhur të historisë dhe bëmë detyrën si luftëtarë, borxhin ndaj Zotit, prindërve dhe atdheut edhe po të sakrifikojmë çdo ditë e çdo gjë nga vetja jonë, nuk e lajmë kurrë!
Në foto: Rrustem Berisha, Shpend Gjocaj, Hisen Berisha dhe tashmë i ndjeri Afrim Beka.