INPO: Rreth 463 kontrata në vlerë rreth 28 milionë euro janë lidhur pa qenë fare të planifikuara
Organizata Iniciativa për Progres (INPO), me mbështetje të Rockefeller Brothers Fund, të premten përmes një konference për medie ka publikuar raportin me titull “Performanca e Qeverisë së Republikës së Kosovës në realizimin e prokurimit”.
Albulena Nrecaj-Musliu, drejtoresh ekzekutive në Iniciativa për Progres (INPO), ka theksuar se raporti përfshin monitorimin e ministrive dhe Zyrës së Kryeministrit dhe pasqyron se sa i përmbahen planifikimit përfundimtar të prokurimit, ministritë dhe Zyra e Kryeministrit, gjatë zhvillimit të aktiviteteve të prokurimit, respektivisht sa dhe çfarë kontrata kanë planifikuar, sa është vlera e tyre e planifikuar dhe çfarë kanë kontraktuar në realitet.
Nrecaj-Musliu ka thënë se përmbushja e objektivave në mënyrë efikase dhe në ofrimin e shërbimeve cilësore e determinon edhe një planifikim i mirë i prokurimit, i cili po ashtu siguron që edhe fazat e tjera të prokurimit, siç janë tenderimi dhe menaxhimi i kontratës të jenë në përputhje me kërkesat ligjore, sigurisht edhe të garantojnë ruajtjen e vlerës për paranë publike.
Monitoruesi në INPO, Arber Kabashi, ka prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e raportit.
Ai ka thënë se gjetjet tregojnë se Qeveria e Republikës së Kosovës (Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit), gjatë vitit 2023 kanë planifikuar të prokurojnë gjithsej 935 aktivitete të prokurimit, 378 për furnizime, 314 për shërbime, 239 punë dhe 4 konkurse të projektimit.
“Bazuar në raportet vjetore të kontratave të nënshkruara, vërejmë se në total gjatë vitit 2023, këto institucione kanë realizuar gjithsej 336 aktivitete të prokurimit, të cilat kanë rezultuar me 489 kontrata. Ndërkaq, gjatë vitit 2023, gjithsej janë nënshkruar nga këto institucione 952 kontrata”, ka thënë ai.
Kabashi ka theksuar se rreth 463 kontrata apo gjysma e kontratave në vlerë rreth 28 milionë euro, janë lidhur pa qenë fare të planifikuara. Vetëm një numër i vogël i tyre kanë të justifikuar procedurën e inicimit pa planifikim.
Në fund, u dhanë këto rekomandime kryesore: Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit të kujdesën që planifikimin vjetor të prokurimit ta bëjnë përkitazi me objektivat e tyre institucionale dhe procesi i vlerësimit të nevojave të bëhet mbi bazën e indikatorëve matës dhe efikas, në mënyrë që tenderimi i kontratave të jetë i bazuar në planifikim efikas dhe efektiv.
Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit të ndalojnë praktikën e lidhjes së kontratave të paplanifikuara.
Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit të bëjnë analizën e tregut, e cila përveç tjerash iu mundëson parashikimin e vlerës së kontratës bazuar në çmimet e tregut. Kjo ndikon edhe në një planifikim dhe menaxhim më të mirë të buxhetit të tyre.
Ministria e Arsimit, të sigurohet se tenderët për ndërtimin e çerdheve të kalojnë të gjitha fazat e planifikimit, jo vetëm të prokurimit, por edhe atyre të lokacionit dhe të sigurohet që në të ardhmen të mos planifikoj tender për të cilët ekzistojnë pengesa për t’u inicuar.
Ministria e Mbrojtjes në raportet e kontratave të nënshkruara të paraqesë edhe vlerën e indikative të kontratës jo vetëm çmimet për njësi.
MAPL të mos planifikojë tenderë në planin e saj të prokurimit, të cilët derivojnë nga granti i performancës për komunat fituese të grantit.