Insistojmë në lidershipin e ShBA-së në dialogun Kosovë – Serbi
Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka bërë me dije se kjo parti insiston jo vetëm në përfshirjen, por edhe në lidershipin e ShBA-së në dialogun Kosovë – Serbi. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se kritikat e tyre për këtë proces edhe në mënyrë të shkruar ia kanë paraqitur kryeministrit Avdullah Hoti. Ai ka deklaruar se ky proces duhet të jetë krejtësisht transparent dhe në çdo rrethanë pjesë e procesit duhet të jenë edhe përfaqësuesit e Aleancës. Sipas Nitajt, kritikat e kësaj partie për procesin e dialogut nuk duhet të shihen si konflikte ndërmjet partnerëve të koalicionit.
Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka arsyetuar kritikat e kësaj partie për qasjen e kryeministrit ndaj dialogut Kosovë – Serbi. Ai ka bërë me dije se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kritikat ia ka dorëzuar edhe në mënyrë të shkruar kryeministrit.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Nitaj ka thënë se AAK-ja synon jo vetëm përfshirjen amerikane në dialogun Kosovë – Serbi, por lidershipin e ShBA-së në këtë proces. “E para, ne insistojmë jo vetëm në përfshirjen, por edhe në lidershipin e ShBA-së në dialog. E dyta, procesi duhet të jetë krejtësisht transparent dhe në çdo rrethanë pjesëmarrës të këtij procesi duhet të jenë edhe përfaqësuesit e Aleancës, që është partnere dhe, së fundi, që dialogu të mos degradojë në çështje ordinere dhe teknike të cilat janë diskutuar e stërdiskutuar tash e sa vjet”, ka thënë Nitaj. Ai ka deklaruar se kritikat e kësaj partie për procesin e dialogut nuk duhet të shihen si konflikt ndërmjet partnerëve të koalicionit. “Nuk besoj se kjo duhet të paraqitet si konflikt ndërmjet partnerëve në qeverinë e koalicionit, por si insistim për transparencë dhe llogaridhënie”, është shprehur Nitaj.
Nënkryetari i AAK-së ka folur edhe për mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj qeverisë Hoti. Ai ka vlerësuar se nuk e kanë marrë seriozisht këtë iniciativë të LV-së. “LV-ja si parti opozitare, këtë punë ka. Nuk është hera e parë që ajo ndërmerr nisma të tilla. Ju kujtohet edhe koha kur Ramush Haradinaj ka qenë kryeministër. Që në ditët e para pati filluar sagën e një mocioni të mundshëm kundër qeverisë. Unë besoj se ky përcaktim është doktrinar. Duket pak e panatyrshme kjo nismë në këtë kohë, por edhe e panatyrshme. Nisma e saj është krejtësisht legale. Nuk është se e kemi marrë seriozisht këtë punë dhe as që kemi diskutuar për të bile. Ajo po di, ajo le t’i grahë”, ka thënë Nitaj.
Nitaj, i cili është zëvendësministër në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, ka deklaruar se qeveria po provon që t’i bëjë të gjitha ndryshimet e domosdoshme për menaxhimin e situatës së pandemisë. Ai ka deklaruar se qeveria po provon ta kthejë normalitetin në këtë drejtim, duke shprehur optimizëm se do të arrijë sukses.
“Epoka e re”: AAK-ja ka shprehur vlerësim kritik ndaj qeverisë. Pse?
Nitaj: Ne jemi në një qeveri koalicioni dhe natyrisht mund të kemi edhe qëndrime edhe qasje të ndryshme për çështje të caktuara. I kemi bërë publike qëndrimet tona për disa çështje, që janë të përbashkëta, posaçërisht për procesin e dialogut. Në çështje nacionale siç është dialogu, debati duhet të jetë nacional dhe duhet të konsumohet me transparencë. Kryetari Ramush Haradinaj dhe Aleanca i kanë specifikuar 2-3 shqetësime që kanë të bëjnë me këtë proces dhe ato ia kemi dërguar partnerit edhe të shkruara. E para, ne insistojmë jo vetëm në përfshirjen, por edhe në lidershipin e ShBA-së në dialog. E dyta, procesi duhet të jetë krejtësisht transparent dhe në çdo rrethanë pjesëmarrës të këtij procesi duhet të jenë edhe përfaqësuesit e Aleancës, që është partnere dhe, së fundi, që dialogu të mos degradojë në çështje ordinere e teknike, të cilat janë diskutuar e stërdiskutuar tash e sa vjet. Nuk besoj se kjo duhet të paraqitet si konflikt ndërmjet partnerëve në qeverinë e koalicionit, por si insistim për transparencë dhe llogaridhënie.
“Epoka e re”: Lëvizja Vetëvendosje ka iniciuar një mocion mosbesimi ndaj qeverisë Hoti. Cili është qëndrimi i AAK-së ndaj kësaj iniciative?
Nitaj: LV-ja si parti opozitare, këtë punë ka. Nuk është hera e parë që ajo ndërmerr nisma të tilla. Ju kujtohet edhe koha kur Ramush Haradinaj ka qenë kryeministër. Që në ditët e para pati filluar sagën e një mocioni të mundshëm kundër qeverisë. Unë besoj se ky përcaktim është doktrinar. Duket pak e panatyrshme kjo nismë në këtë kohë, edhe e panatyrshme. Nisma e saj është krejtësisht legale. Nuk është se e kemi marrë seriozisht këtë punë dhe as që kemi diskutuar për të bile. Ajo po di, ajo le t’i grahë.
“Epoka e re”: AAK-ja ka hyrë në këtë qeveri me disa synime. A po i përmbush pritjet e AAK-së kjo qeveri?
Nitaj: Qeveria ka funksionuar normalisht dhe i ka përmbushur detyrimet e veta. Ka funksionuar në rrethana të jashtëzakonshme edhe për shkak të pandemisë dhe krizës ekonomike të shkaktuar prej saj. Tani ne do të donim që të ishin kryer më herët plot veprime që e lehtësojnë jetën e qytetarëve në këtë kohë krize, por edhe kjo ka qenë e determinuar nga plot procese, siç është ai i riplanifikimit buxhetor dhe procesimi i të njëjtit e që është dashur të kalojë përmes Kuvendit e që kërkojnë kohë.
“Epoka e re”: Ndër prioritet kryesore të kësaj qeverie ka qenë rimëkëmbja ekonomike. Çfarë po bën qeveria në këtë drejtim?
Nitaj: Së pari është pritur plotësim-ndryshimi i buxhetit dhe ky ka kaluar javën që shkoi. Tash është në proces miratimi i një sërë masash e ligjesh që do ta mundësojnë atë që po cilësohet rimëkëmbje ekonomike, e për disa mund të cilësohet edhe si mbijetesë. Sapo të përfundojë ky proces, do të ketë lehtësira edhe në pagesa për qytetarët, edhe për bizneset. E shoh që qeveria po provon që t’i bëjë të gjitha ndryshimet e domosdoshme që të menaxhohet situata e krijuar.
“Epoka e re”: Sa besoni se do të jetë e suksesshme qeveria në këtë drejtim?
Nitaj: Pandemia ka shkaktuar krizë shumëdimensionale. Qeveria po provon që ta rikthejë njëfarë lloj normaliteti. Unë dua të besoj se do të ketë sukses.
/Muhamet KOCI/