Inspekcioni në aksion për largimin e shitësve ilegale në sheshin e Mitrovicës
Inspektorët komunalë mbrëmë kanë ndërmarrë një aksion për largimin e shitësve të cilët operojnë pa leje nga organet kompetente në hapësirat publike, konkretisht në sheshin e qytetit të Mitrovicës.
Gjatë këtij aksioni në sheshin e qytetit janë sekuestruar disa box lodra si dhe janë larguar disa shitës ambulantë të cilët zhvillonin veprimtarinë e tyre biznesore pa leje, si dhe shfrytëzonin hapësirën publike duke penguar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Lidhur me këtë, udhëheqësi i sektorit për Shërbime Publike dhe Mbrojtje të Mjedisit, nga Drejtoria e Inspekcionit, Fatmir Kelmendi, ka theksuar se disa herë shitësit në fjalë janë paralajmëruar që të mos vazhdojnë shfrytëzimin e hapësirave publike pa u pajisur me leje adekuate duke penguar kështu edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Ai më tutje ka shtuar se inspektorët komunal edhe në ditët në vijim do të zhvillojnë aksione të tilla, të cilat sigurojnë qarkullim dhe lëvizje të lirë të qytetarëve, sidomos në këto ditë kur kemi frekuentim edhe nga bashkatdhetarët në qytetin tonë.