Inspektimi i ushqimit, mbi 400 mijë kilogramë produkte u asgjësuan nga AUV-i gjatë këtij viti
Mbi 400 mijë kilogram produkte janë asgjësuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë gjatë këtij viti, produkte këto të cilat nuk i kishin plotësuar kushtet për konsum.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi. “Edhe këtë vit kemi pasur produktet që janë larguar në disa raste arsyeja ka qenë ruajtje jo adekuate dhe sasia e përgjithshme e asgjësimit për këtë vit e kalon rreth 400 mijë kilogram. Nuk është vetëm për shkak të kushteve të ruajtjes por ka me lajmërimin e vet bizneseve për arsye të ndryshme, mungesë dokumentacioni, origjine apo edhe të cilat kanë rezultuar analizave që nuk janë për konsumim”, ka thënë Thaçi.
Thaçi u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes permanent në produktet ushqimore, sidomos në këto temperatura të larta.
Ai ka deklaruar se të gjithë produktet që janë në treg janë të inspektuara dhe janë të sigurta për konsumim.
“Në secilin inspektim gjithmonë e shkruan gjendjen faktike në terren. Kushdo që vendos produktet të dyshimta edhe në kodin penal edhe me ligje të tjera përcaktohet që të ketë ndjekje penale ndaj tij apo të shqiptohet gjobë mandatore. Kjo është sipas vlerësimit të inspektonit në terren, në rastin kur është vlerësuar se në terren është vendosur një produkt në treg që është i dyshimte ai e inicion fletë paraqitjen në gjykatë. Pastaj Gjykata është ajo që e peshon fajin dhe ndëshkimin”, shtoi Thaçi.
Kujtojmë se muaj më parë pas pretendimeve të ngritura për sigurinë dhe cilësinë e mishit të eksportuar në Shqipëri nga një subjekt ekonomik vendor, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka dalë me një sërë sqarimesh rreth rastit.
Inspektimet e kryera nga AUV nuk kishin gjetur asnjë parregullsi që do të kishte ndikim në sigurinë ushqimore.
“Mishi i freskët i eksportuar është prodhim i therjeve të kafshëve në Kosovë dhe është nënshtruar kontrollit veterinar në të gjitha fazat e procesimit”, kishte njoftuar AUV.