Inspektohen punimet në stadiumin “Zahir Pajaziti”
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, dhe drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj, vizituan të mërkurën stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku janë duke u realizuar punimet për ndërtimin e tribunave dhe të infrastrukturës përcjellëse.
Kryetari Veliu ka shprehur optimizëm se punët në kompletimin e infrastrukturës përcjellëse në stadium, tribunat dhe zhveshtoret, do të përfundojnë deri në fillimin e kampionatit të ri futbollistik. “Pas ndërtimit të fushës me bari sintetik, në stadium u krijuan kushtet për lojëra cilësore, kurse me finalizimin e ndërtimit të tribunave shikuesve u ofrohet komoditet, që në sezonin e ardhshëm futbollistik t’i përcjellin ndeshjet e FC ‘Llapi’ në këtë stadium modern”, ka thënë kryetari Veliu.
Ndërtimi i tribunave dhe infrastrukturës përcjellëse në Stadiumin “Zahir Pajaziti” është investim i përbashkët i MKRS-së, Komunës së Podujevës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.