Inspektohen punimet për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj

30 gusht 2019 | 15:26

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, dr. Basri Sejdiu, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, kanë vizituar sot vendpunimin ku është duke u ndërtuar spitali i ri i këtij qyteti.

Gjatë kësaj vizite u vlerësua se Ferizajt po i korrigjohet një padrejtësi shumëvjeçare për ta pasur një spital modern që u përgjigjet kërkesave të qytetarëve.

“Jam shumë i lumtur që po shoh edhe nga afër se punimet për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt kanë avancuar shumë. Ky do të jetë një nga spitalet më moderne në Kosovë. Duke parë dinamikën e punimeve, ne besojmë se ky spital do të jetë i gatshëm për qytetarët vitin e ardhshëm”, ka thënë ministri Ismaili.

Në anën tjetër, drejtori i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu ka theksuar se ndërtimi i këtij spitali do të jetë ndihmesë për banorët e Ferizajt me rrethinë, duke krijuar mundësi të jemi sa me afër pacientëve me kushte dhe infrastrukturë moderne.

Ai u shpreh se prioritet për zhvillimin e shërbimeve mjekësore në spitalet e përgjithshme do të mundësojnë që banorët të mos e kenë referencë QKUK-në, por shërbimet t’i marrin në spitalet e përgjithshme.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka falënderuar ministrin Ismaili për mbështetjen e madhe që ky projekt të realizohet në kohë. “Ferizaj, qytetarët e Ferizajt do ta kenë një spital, i cili do t’i trajtojë të gjitha nevojat e tyre”, ka thënë kryetari Aliu.

Ky projekt prej 10 milionë eurosh, është ndërtuar në një hapësirë prej 2.7 hektarësh.

Objekti shtatëkatësh, me 22 mijë metra katrorë, do t’i ketë 220 shtretër dhe të gjitha hapësirat dhe pajisjet që përmbushin standardet e një spitali të përgjithshëm.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipet që garojnë në Ligën e Evropës kanë mësuar kundërshtarët…