Inspektohen segmentet rrugore me rrëshqitje të dheut
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, dhe përfaqësues të Inspektoratit të Ministrisë, kanë inspektuar të martën disa prej segmenteve rrugore në të cilat ka pasur shembje të dheut, si pasojë e shkrirjes së borës dhe reshjeve të shumta të shiut ditëve të kaluara.
Fillimisht zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka inspektuar destinacionin te tuneli i rrugës M2 në Mitrovicë, ku është njoftuar për së afërmi me gjendjen në të cilën ndodhet ky tunel dhe dëmet që kanë shkaktuar reshjet e shiut.
Duke kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për gjendjen e cila është krijuar, zëvendësministri Kadriu ka thënë se Ministria e Infrastrukturës do të marrë masat e duhura këtyre ditëve, në mënyrë që të sigurohet sa më parë infrastruktura rrugore në këtë pjesë.
Kadriu së bashku me Inspektoratin e Ministrisë, inspektuan edhe rrugën pranë liqenit të Ujmanit në Zubin Potok, përkatësisht në veri të vendit, rrugë kjo e cila u përball me shembje të dheut nga moti jo i favorshëm atmosferik.