Inspektohet gjendja e rrugëve në komunën e Mitrovicës
Situata e përgjithshme në rrugët e komunës së Mitrovicës, pas reshjeve borës, është përmirësuar dukshëm.
Të gjitha rrugët janë të kalueshme, ndërkohë që ka intervenime të shpeshta të kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve në zonën e Shalës së Bajgores, për shkak të telasheve që paraqiten si pasojë e fërfëllizës që mbretëron atje herë pas here.
Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja, i cili kishte dalë në terren për të parë nga afër gjendjen e rrugëve në komunën e Mitrovicës, pas reshjeve të fundit të borës, ka kërkuar nga kompania e kontraktuar që të jetë sa më aktive dhe e gatshme që t’u dilet në ndihmë qytetarëve sidomos në ato zona ku gjendja është më e vështirë.
“Ndonëse në qytet të gjitha rrugët janë të pastruara, në viset rurale ende kemi borë, kështu që këto ditë kemi pas intervenime më të shpeshta sidomos në rajonin e Shalës së Bajgores, si pasojë e fërfëllizës që mbretëron atje, por falë punës së nënkontraktuesit, të gjitha rrugët janë të kalueshme”, ka thënë Muja.