Inspektorati gjen flamur të Kosovës afër produktit serb në ‘Super Viva’
Biskotat serbe ‘Noblice’ u ilustruan si një produkt vendor në një prej marketeve kosovare.
Burime të “kallo.com”, kanë dërguar fotografi të rastit të cilin e evidentoi edhe Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë.
Në një inspektim në marketin ‘Super Viva’ në Prishtinë, inspektorati gjeti se flamuri i Kosovës është vendosur afër çmimit të produktit që nuk ishte prodhim vendor.
Lidhur me këtë inspektorati ka shkruar proces të inspektimit dhe pritet të mirret vendimi nëse ky market do të gjobitet.
“Kallxo.com”, ka kontaktuar me marketin ‘Super Viva’ në numrin e telefonit të paraqitur në raportin e inspektoratit.
Në telefon u përgjigj një zyrtare e këtij marketi e cila nuk pranoi të tregojë identitetin e saj.
Ajo në pyetjet e “kallxo.com”, pranoi se në market është bërë një gabim dhe tha se po presin vendimin e inspektoratit. “Nuk është vendosur flamuri gabim por është bërë një ndryshim në raft dhe është harruar. Nuk kanë marrë ndonjë vendim, por vetëm ma ka shkruar një proces dhe vendimin nuk ma kanë kthyer hala. Ma kanë shkruara procesin e kanë dërguar tje por vendim s’kemi hala. Kom bo gabim se është harru po çka me bo, kam gabuar”, u shpreh zyrtarja e këtij marketi.