Inspektorati i Trashëgimisë pezulloi punimet në sheshin ‘Xhorxh Bush’, MKRS: Nuk kanë kërkuar leje për punë siç e thotë ligji

12 mars 2025 | 20:41

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndaluar punimet në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë..

MKRS përmes një njoftimi kanë treguar se janë vendosur shenjat zyrtare për ndalimin e punimeve. Kjo pasi, Inspektorati për Trashëgimi Kulturore, thotë se punimet janë ndërhyrje të pa-autorizuara në një zonë ku ka trashëgimi kulturore, përderisa nga Komuna e Prishtinës kanë deklaruar se ky projekt nuk e dëmton trashëgiminë kulturore.

Nga Komuna e Prishtinëse kanë cilësuar vendimin e Inspektoratit si të padrejtë dhe të bazuar në standarde të dyfishta.

Projekti është i financuar nga Komuna e Prishtinës, për këtë zyrtarë nga ministria në fjalë kanë pas takim me drejtorë komunalë.

Ministria e Kulturës thekson se Komuna e Prishtinës nuk a kërkuar leje për punimet pranë aseteve të trashëgimisë kulturore dhe zonave mbrojtëse.

“Inspektorati për Trashëgimi Kulturore i MKRS-së, ka pranuar njoftim për punime, ndërhyrje të pa-autorizuara në një zonë ku ka asete të trashëgimisë kulturore në mbrojtje, konkretisht në rrugën “Xhorxh Bush”, që gjendet brenda Qendrës Historike të Prishtinës. Institucionet përgjegjëse për Trashëgimi Kulturore, QRTK Prishtina dhe IKMM, kanë konfirmuar se Komuna e Prishtinës apo drejtoritë përkatëse: Drejtoria e Urbanizmit, Drejtoria e Planifikimit Strategjik apo Drejtoria për Transformim të Komunës së Prishtinës nuk kanë kërkuar leje për punë siç e thotë ligji i trashëgimisë kulturore, kur punohet në afërsi të aseteve të Trashëgimisë Kulturore dhe zonave mbrojtëse. Prandaj, me datën 12.03.2025, Drejtori, Imer Hakaj dhe Inspektorët e Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore kanë kërkuar takim pune me Drejtoritë përkatëse të Komunës së Prishtinës dhe Institucionet e Trashëgimisë Kulturore.”, thuhet në njoftim.

MKRS ka bërë të ditor se pas takimit dhe informimit të tyre për këtë vendim, janë vendosur shenjat zyrtare për ndalim të punimeve.

“Vendosja e shenjave është bërë në prezencën e drejtorit për transformim të Komunës së Prishtinës, Gëzim Kastrati, i cili ka nënshkruar procesverbalin e inspektorëve të ITK-së për ndalim të punimeve dhe është zotuar se do të ndjekin procedurat për pajisje me miratim nga Institucionet e Trashëgimisë Kulturore sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore dhe akteve të tjera përcjellëse. Prandaj, Inspektorati për Trashëgimi Kulturore dhe Institucionet e Trashëgimisë Kulturore do ju mbajnë të informuar për gjitha veprimet e mëtutjeshme në procedurë..”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, drejtori i Transformimit në Komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati, dhe drejtori i Planifikimit, Arber Sadiki, kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për ndalimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.

Drejtori i Planifikimit, Arber Sadiki, ka theksuar se projekti nuk dëmton trashëgiminë kulturore, por përkundrazi i kontribuon asaj.

“Projektet në fjalë nuk dëmtojnë asetet e trashëgimisë kulturore, ato përkundrazi i kontribuojnë asaj, sikurse në të gjitha agjendat botërore moderne. Nuk e di se çfarë kuadri mund të cenohet. Nuk e kemi problem dhe nuk jemi këtu për ta kundërshtuar asnjë institucion. E dimë se ajo që po bëjmë nuk cenon asgjë në trashëgiminë kulturore”, ka deklaruar Sadiki.

Ndërsa, drejtori i Transformimit, Gëzim Kastrati, e ka cilësuar vendimin e Inspektoratit si të padrejtë dhe të bazuar në standarde të dyfishta.

“Inspektorati po punon me standarde të dyfishta. Projekti ‘Xhorxh Bush’ nuk i cenon as objektet as ato të trashëgimisë, përkundrazi i çel ato. Patjetër që do marrim leje. Projekti i ka shtatë faza, faza e parë nuk ka nevojë për leje sepse jemi duke intervenuar në infrastrukturë nëntokësore. Fazat tjera, që punimet vazhdojnë, sepse urbanizmi ka lëshuar pëlqim, ne ende nuk kemi hyrë ende te trashëgimia kulturore. Këto kanë karakter tendencioz”, ka deklaruar Kastrati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinë me vendimin e datës 11 mars…