Inspektorati mbyll diskotekën në Mitrovicë, kishte organizuar ndejë me Aida Docin
Një rast i paprecedent ka ndodhur në Mitrovicë në këtë kohë pandemie, pasi që një diskotekë e qytetit ka organizuar muzikë “live” me Aida Docin.
Veriu.info mëson se aksionit i ka prirë Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Fidan Ademi së bashku inspektorët komunal nën asistimin e policisë, duke e ndërprerë evenimentin ku këndonte Aida Doci.
Kjo ka ndodhur para pak minutash, pasi që fillimisht inspektorati e kishte mbyllur ndejën, por të cilën organizatorët e kishin vazhduar pas pak minutash.
Është dashur ndërhyrja e dytë e inspektorëve komunal për ta zbrazur lokalin, me çrast mësohet se kanë shqiptuar edhe gjobë ndaj lokalit.
Ndryshe, me vendim të Qeverisë së Kosovës organizimin i ahengjeve të tilla me këngëtar është i ndaluar dhe sanksionohet.