Inspektorati Policor vitin e kaluar ka rekomanduar suspendimin e 164 punonjësve policorë
Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, ka bërë me dije të martën se institucioni që drejton ka rekomanduar në vitin 2022 suspendimin e 164 punonjësve policorë. Hodaj ka thënë se janë trajtuar rreth 1 700 ankesa të qytetarëve, duke theksuar se gjatë vitit të kaluar janë hetuar 257 zyrtarë policorë, ndërsa janë arrestuar 100
Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, ka raportuar të martën në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes lidhur me raportin vjetor të punës për vitin 2022.
Përkitazi me këtë raport, Hodaj paraqiti aktivitetet me të cilat ka qenë i angazhuar Inspektorati.
Ai ka vlerësuar se ka ngritje te cilësisë së shërbimit, duke përmendur faktin se hetuesit në këtë institucion kanë treguar nivel me të lartë të profesionalizmit, duke vlerësuar se ka pasur rritje të numrit të aktiviteteve.
Sipas Hodaj, fokusi gjatë këtij vitit ka qenë luftimi i korrupsionit brenda policisë.
Në vijim ai foli në detaje për trajtimin dhe adresimin e ankesave. “Kemi trajtuar me kujdes ankesat e qytetarëve dhe se 34 për qind të tyre i kemi drejtuar në hetime”, ka thënë ai, duke sqaruar se kanë rekomanduar suspendimin e 164 punonjësve policorë.
Ai ka thënë se janë trajtuar rreth 1700 ankesa te qytetarëve, duke paraqitur tutje detaje rreth 12 inspektimeve të realizuara gjatë atij viti.
Sipas tij, gjatë vitit të kaluar janë hetuar 257 zyrtarë policorë, ndërsa janë arrestuar 100.
Ai foli në hollësi edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional, trajnimet, marrëveshjet e bashkëpunimi, si dhe për aktivitete tjera.
Pas shpalosjes së këtij raporti, Bekë Berisha, ka kërkuar sqarime rreth konkurseve.
Me theks të veçantë ai kërkoi të dhëna lidhur me konkursin për policë të Njësisë së Mbrojtjes së Afërt. Ai tha se kanë kaluar të gjitha procedurat, ndërsa nuk janë pranuar. Për këtë, Hodaj tha se kanë zhvilluar një hetim.
Disa nga anëtarë të Komisionit përgëzuan përfaqësuesit e IPK-së për angazhimin, punën dhe profesionalizmin, duke e vlerësuar si inkurajuese rezultatet e vitit të kaluar nga ky institucion.
U tha po ashtu se hetimi me profesionalizëm është ndihma më e madhe që IPK-ja mund t’ia bëjë policisë.
E disa nga ta paraqitën edhe shqetësime të shumta dhe pyetje. Mes tjerash u tha se ka shumë ankesa për korrupsion nga hetimet dhe se ka padrejtësi dhe humbje të dëshmive, si dhe moszbardhje të hetimeve, duke kërkuar reflektim në këto dhe të gjitha çështjet që u ngritën.