Inspektorët komunalë lirojnë hapësirat publike në qytetin e Mitrovicës
Drejtoria e Inspekcionit, me asistim të Policisë së Stacionit Jugor në Mitrovicë, që nga orët e hershme të mëngjesit kanë realizuar aksionin për lirimin e të gjitha hapësirave publike në qytet, duke mos lejuar shitësit e ndryshëm, që produktet dhe mallrat e tyre t’i ekspozojnë në trotuare dhe hapësira tjera publike të parapara për shfrytëzim nga ana e qytetarëve.
Për lirimin e këtyre hapësirave ka pasur kërkesa të shumta nga qytetarët të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për pengim të lëvizjes së lirë, derisa inspektorët komunal nga aksioni i sotëm kanë bërë të ditur se shitësit i kanë respektuar urdhëresat e inspektorëve dhe nuk ka pasur nevojë për intervenim të Policisë apo shqiptim të ndëshkimeve mandatore.
Lidhur me aksionin e sotëm, drejtori i Inspekcionit, Valon Brahimi, ka paralajmëruar se aksione të tilla do të ketë në vazhdimësi, deri sa të mos ketë ekspozim të mallrave nëpër trotuare dhe të mos ketë pengesa në lëvizjen e qytetarëve.
Vlen të potencohet se aksioni është zhvilluar në gjithë zonën urbane të qytetit dhe është mbikëqyr nga gjithsej katër ekipe të inspektorëve, në mënyrë që lajmërimi i datës 06.01.2022 për subjektet afariste të zbatohet në përpikëri.