Inspektorët komunalë në Malishevë konfiskojnë grurë të krimbur
Pas një shqetësimi publik të një qytetari, i cili në rrjetet sociale kishte publikuar një video përmes së cilës tregonte se kishte blerë grurë të krimbur në marketin “Viva Fresh Store” në Malishevë, inspektorët komunalë kanë dalë të dielën në orët e para të mëngjesit dhe kanë inspektuar këtë market.
Inspektorët kanë hasur në produktin grurë i qëruar “Duru”, i cili ishte i krimbur.
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratit, Dibran Kastrati, i cili kishte asistuar në kontrollin e bërë, është gjetur një sasi e grurit të krimbur, ku pastaj sasia e gjetur është konfiskuar nga inspektorët komunalë. “Po ashtu ndaj marketit është shqiptuar edhe një gjobë mandatore dhe janë marrë të gjitha masat konform ligjit”, ka thënë ai.
Drejtori Kastrati ka bërë me dije se informacioni është marrë nga një qytetar. Kastrati u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me inspektoratin me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve.
/Epoka e re/