Inspektorët me orar të zgjatur me qëllim të zbatimit të masave
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se inspektoratet e komunave janë duke punuar me orar të zgjatur me qëllim të zbatimit të masave anti Covid-19.
Sipas njoftimit, në shumicën e komunave janë duke u zhvilluar aktivitete të shtuara të inspektimeve që nga hyrja në fuqi të masave të reja nga Qeveria e Kosovës në luftimin e pandemisë së krijuar nga Covid 19.
“Gjatë veprimtarisë së inspektorateve komunale në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha institucionet e tjera të përfshira ditëve të fundit iu është kërkuar nga subjektet afariste të respektojnë masat e fundit e parapara me vendim nga Qeveria”, thuhet ndër të tjerash në njoftim, duke shtuar se janë shtuar aktivitetet sidomos në fushën e gastronomisë, ku komunat kanë kërkuar nga këto subjekte që të bëhet rregullimi i hapësirave të tyre për shërbim sipas masave të parapara në mënyrë që klientët të kenë distancën e kërkuar.
“Gjithashtu së bashku edhe në koordinim me Policinë është kërkuar respektimi i orarit kohor të lejuar për veprimtari të këtyre subjekteve. Aktivitet i vazhdueshëm është duke u zhvilluar me kërkesa drejtuar qytetarëve që të bartin maskat gjatë gjithë kohës sipas masave të parapara. Inspektorate komunale janë duke punuar me orar të zgjatur në të gjitha komunat e Kosovës me qëllim të zbatimit të masave për të luftuar me situatën e krijuar si pasojë e pandemisë Covid-19.”, është thënë në njoftim.
Inspektimet janë të përbashkëta në mes Inspektorëve Komunal, Inspektorëve të AVUK, Inspektorëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Policisë së Kosovës.
(M.K / Epoka e re)