Inspektori i ndërtimit dënohet me dy vite burgim për veprën penale marrje ryshfeti
Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit B. A.
I akuzuari shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës, dyshohet se gjatë muajit nëntor 2015 në cilësinë e personit zyrtar, Inspektor i Ndërtimit, fillimisht ka kërkuar ryshfet në shumë prej 5.000 euro, nga i dëmtuari A. I, që të mos rrënojë një pjesë të objektit i cili ishte mbi ndërtim, ndonëse ishte në kundërshtim me leje ndërtimore në objektin banesor, duke e ftuar në celular disa herë për t’u takuar dhe më pas ka marr shumën e të hollave prej 3.000 Euro nga i dëmtuari.
“Me këto veprime i akuzuari B. A. ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Trupi gjykues pas shqyrtimit të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve, ka shqiptuar një dënim prej dy (2) vite burgim dhe një dënim plotësues prej dy (2) viteve ndalimi i funksioneve në administratën publike, pas vuajtjes së dënimit me burgim.
Ndërsa gjykata ka shpallur aktgjykim lirues për të akuzuarit V.Sh.,M.Sh., B.M. dhe A.B., po ashtu zyrtarë komunal, pasi që nuk është vërtetuar se kanë kryer veprën penale me të cilën janë ngarkuar “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “heqja ose dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave” nga neni 414 të KPRK-së”, është bërë me dije në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjilan.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit.
/Epoka e re/