‘Instagram’-i ndalon reklamimin e cigareve elektronike
Rrjeti social “Instagram”, i cili është në pronësi të “Facebook”-ut, ka ndaluar reklamimin e cigareve elektronike, prodhimeve të duhanit dhe armëve, nga ana e influencuesve.
Influencuesit në rrjetet sociale, janë individët që kanë numër të lartë të ndjekësve. Ndonjëherë numri i ndjekësve prek shifra milionëshe.
Kompanitë dhe bizneset në shumë raste kontraktojnë këta individë, për të reklamuar produktet e tyre në rrjetet sociale.
Megjithëse reklamat e duhanit janë ndaluar nga “Facebook” dhe “Instagram”, prodhuesit e cigareve elektronike përdorin influencuesit për të promovuar produktet e tyre, përmes targetimit ose postimeve që tregojnë se si i kanë pranuar si dhuratë këto produkte.
“Përmbajtja që promovon produkte si cigaret elektronike, duhani dhe armët nuk do të lejohen”, ka njoftuar “Instagram”-i përmes një postimi.
Sipas “CNBC”, kjo është hera e parë që “Instagram” është duke prezantuar kufizime për produktet që mund të promovohen përmes targetimit.
Masa vjen pasi Autoriteti i Standardeve të Reklamimit në Mbretërinë e Bashkuar ka ndaluar kompanitë e duhanit, të promovojnë cigare elektronike në faqet e medieve sociale, pas hetimit të postimeve të tyre në “Instagram”.
“Është e domosdoshme që ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’ jo vetëm të sjellin shpejt ndryshime në këtë politikë, por ato të zbatohen në mënyrë rigoroze”, ka thënë Matthew Myers, president i fushatës “Fëmijët pa duhan”.