“Instagram” vjen me një tjetër ndryshim
Për herë të parë që kur është lançuar, “Instagram”-i do t’u kërkojë përdoruesve të vendosin ditëlindjen e tyre. Duke filluar nga sot, kushdo që dëshiron të hapë një llogari në rrjetin social, duhet të japë moshën e saktë.
Përdoruesit nën 13 vjeç nuk do të mund të kenë një llogari në “Instagram”. Kjo masë është marrë për të mbrojtur të miturit duke mos i ekspozuar ata në përmbajtje të papërshtatshme.
“Instagram”-i ka treguar se informacioni mbi moshën e përdoruesve do të përdoret për t’u dhënë të rinjve më shumë privatësi, siç është për shembull bllokimi i mesazheve nga njerëzit që nuk të ndjekin.
Ndërsa ditëlindja e përdoruesve nuk do të bëhet publike për asnjë përdorues tjetër. Ndryshimi nuk do të ndihet tek ata që aktualisht kanë një llogari në “Instagram”, pasi ditëlindja e tyre do të merret automatikisht nga “Facebook”-u (nëse rrjetet janë të lidhur me njëri-tjetrin).