Instalohen kamera sigurie në Liqenin e Ujmanit
Institucionet e Kosovës kanë nisur punime në afërsi të Liqenit të Ujmanit, për të ndërtuar infrastrukturë adekuate për pushuesit. Pos kësaj, atje sot gjatë ditës janë vendosur edhe kamera të sigurisë.
Ndonëse në fundjavë ndodhi një shpërthim i rrezikshëm në afërsi të Liqenit të Ujmanit, ku po freskoheshin disa qytetarë, tani kanë nisur punime që të përmirësohet infrastruktura për ta.
Makineritë janë duke punuar për të hapur rrugën që të dërgon buzë liqenit.
Aty po planifikohet të lirohet hapësira për parkimin e veturave.
Mjetet e rënda të cilat kanë filluar punën aty janë të kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës, e punimet si zakonisht në zonën veriore të vendit po monitorohen nga Policia e Kosovës.
“Sa ne kemi informacion aty do të jetë parking, parking i veturave apo diçka e tillë por sidoqoftë punimet nuk jemi ne duke i kry edhe nuk kemi shumë informacion por e dimë që janë duke u kry punimet aty. Policia është aty sepse është gjithmonë aty në lëvizje”, ka thënë Veton Elshani.
Ministria e Infrastrukturës, nuk ka kthyer përgjigje për projektin konkret, pavarësisht interesimit të televizionit.
Pos në infrastrukturë, përreth liqenit po kryhen edhe punë të tjera.
Aty, kompania e kontraktuar nga Policia po bën vendosjen e kamerave të sigurisë, ashtu siç janë në shumicën lokacioneve në veri.
E për rëndësinë e tyre foli i pari i Policisë në Veri, Veton Elshani.
“Sipas ligjit ne jemi përgjegjës për kontrollimin e hapësirave publike, e kemi thënë edhe më herët që ne kemi planifiku me projekte të veçanta të kemi mbikëqyrje me kamera në hapësirat publike. Për neve është shumë mirë që po vendosen aty sepse ato na ndihmojnë që rastet t’i ndriçojmë më lehtë”, ka shtuar Elshani.
Të dielën në afërsi të Liqenit të Ujmanit u hodh një mjet shpërthyes, ku për pasojë u dëmtuan dy vetura të vizitorëve.
Policia kreu bastisje në lidhje me këtë rast, por deri tani nuk ka pasur të arrestuar.