“Institucionet duhet të ndërmarrin masa për respektimin e kushteve për personat me aftësi të kufizuara”
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fetah Rudi, ka thënë se institucionet duhet të ndërmarrin të gjitha veprimet që të ofrojnë qasje për personat me aftësi të kufizuara.
Rudi në seancën ku po diskutohet për personat me aftësi të kufizuara, ka falënderuar të gjithë ata që e kanë bartur shkallëve në mënyrë që të marrë pjesë në seancë, raporton “Epoka e re”.
“Rivendosja e ashensorit po bëhet për mua por do t’i shërbejë Kuvendit dhe personave me aftësi të kufizuara që në legjislaturat e ardhshme do të jenë deputet, kryetar Kuvendi, president e ministra. Nga mungesa e deritanishme e ashensorit kuptuam se Kuvendi duhet t’i rishikoje ligjet për t’i larguar burokracitë ligjore. Ndërsa, të gjithë ne si deputet duhet të veprojmë me kohë që të rregullohet qasja e personave me aftësi të kufizuara, pasi që është obligim ligjor”, ka deklaruar ai.
Rudi tha se duhet të ndërmerren të gjitha masat për respektimin dhe plotësimin e kushteve për personat me aftësi të kufizuara.