Institucionet e shtetit të dala nga lufta çlirimtare po synojnë t’i diskriminojnë me ligj pikërisht çlirimtarët

06 qershor 2022 | 17:14

Shkruan: Hajdin Abazi

Sot protestuan ata të cilët i rrokën armët kundër pushtuesit serb dhe flijuan pjesë të trupit e deri te rënia në fushëbeteja – kategoritë e luftës çlirimtare të Kosovës.

Vetëm edhe ky fakt, se ata u detyruan të dalin në protestë – është tregues i një realiteti të deformuar, natyrisht i një realiteti politik, dujet të kumbojë si një kambanë trishtimi për tërë shoqërinë kosovare e sidomos për ata që janë në vendimarrje.

Veteranëve luftëtarë u janë bërë shumë padrejtësi në këto më shumë se dy dekada pas luftës çlirimtare, por ata janë treguar zemërgjerë dhe kanë duruar duke besuar e duke e shpresuar se bashkë me përmirësimin e rrethanave edhe atyre do t’u vinte radha, sepse të paktën vullneti politik ekzistonte.

E sot, 23 vjet pas përfundimit të luftës çlirimtare, kategoritë e dala nga kjo luftë shtrëngohen të dalin në protestë për të parandaluar diskriminimin e tyre.

Është fjala për diskriminim publik, institucional, nga ekzekutivi e gjasme edhe nga legjisllativi.

Fjala është për Ligjin e Pagave, ku ekzekutivi në krye me Albin Kurtin, nuk i ka përfshirë kategoritë e dala nga lufta çlirimtare. Dhe ky ligj u dërgua në Kuvend për miratim përmes votimit e që ishte sot në rend të ditës.

Prandaj, pikërisht sot shoqatat e dala nga lufta çlirimtare e Kosovës organizuan protestë para Kuvendit të Republikës së Kosovës, për t’ua tërhequr vërejtjen deputetëve, të gjithëve pa përjashtim dhe pavarësisht përkatësisë partiake, që të mos aprovojnë politikën e ekzekutivit që e legalizon diskriminimin social në Kosovë

Një diskriminim si ky, pikërisht ndaj kategorive të luftës çlirimtare do të ishte jo vetëm i gabuar politikisht, por edhe një  gabim historik.

Kryeministri i vendit, A. Kurti, do të duhej t’i takonte veteranët dhe të vepronte të paktën si me kategoritë e tjera, por ai nuk e ka bërë këtë.

Ndoshta edhe veteranëve, si sindikalistëve, ua ka vënë të njëjtin kusht: që të takohen me kryeministrin duhet të mendojnë si kryeministri!

Qëndrimi i tillë është monizëm modern i A. Kurtit, kur takimin me kategoritë shoqërore, si kategoritë e dala nga lufta dhe mësimdhënësit, të cilat janë arterie relevenate të një shoqërie, u dikton kushtin absurd për t’u takuar. Mbase ka harruar se Kosova e ka të sanksionuar në Kushtetutën e saj pluralizmin politik dhe lirinë e mendimit, që nënkupton pikërisht si të drejtë themelore mendimin ndryshe. Albin Kurti nga pozita partiake edhe mundet ta bëjë këtë, mund të zgjedhë se me kend dëshiron të takohet e me kend jo, por nga pozita e kryeministrit nuk i lejohet ta bëjë këtë, sepse roli i tij i imponon një qëndrim me fleksibël, më tolerues dhe gjithëpëefshirës, sidomos jo diskriminues ndaj asnjë kategorie.

Kudo në botë, kategoritë e dala nga lufta, veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve janë të privilegjuara e të nderuara, dhe nëse bëhet fjalë për diskrimin – ai është diskriminim pozitiv, në kuptimin e shtimin të privilegjeve ndaj tyre.

Të përjashtohen kategoritë e luftës çlirimtare nga ngritja e pagave – është mesazh shumë i keq.

Athua, qeveria aq larg ka shkuar në qëndrimin ndaj këtyre kategorive, sa edhe përmes ligjit t’i diskriminojë kategoritë e dala nga lufta çlirimtarr?

Përderisa këshilltarëve politikë ju lejohen edhe benefite që ata të kërkojne trajtim prej VIP-i, trajtim i cili vetëm për pak orë ka koston thuaja sa të tri pagave të veteranit, a ka logjikë që të përjashtohen kategoritë e dala nga lufta nga e drejta që edhe atyre t’u ngriten pagat?

Domethënë të paktën të trajtohen si edhe kategoritë e tjera shoqërore, apo ndoshta duhet të trajtohen me padrejtësi nga shteti për krijimin e të cilit ata luftuan?

Apo për këtë nomenklaturë në krye me presidenten dhe kryeministrin, ata që duhet respektuar janë vetëm dëshmorët në varreza, kurse bashkëluftëtarëve të tyre – me anën e ligjit synohet t’u sanksionohet “mjerimi social” si mirënjohke për luftën çlirimtare?

Përveç se e padrejtë nga aspekti legal, diskriminimi nga instirucionet e shtetit është mohim i tyre, i meritave dhe e kontributit të jashtëzakonshëm të këtyre kategorive pa të cilat nuk mund të kishte as luftë çlirimtare e ndoshta as edhe shtet të Kosovës.

Është e vërtetë se këto kategori nuk kanë luftuar për merita e privilegje por për çlirimin e vendit dhe për shtetbërje të Republikës së Kosovës, veçse nëse ata mund të mos protestojnë për privilegje dhe për trajtim të tyre si në çdo vend tjetër, ata nuk mundin ta tolerojne institucionalizimin e diskriminimit të tyre dhe të trajtimit mohues të tyre.

Pikërisht për këtë ata e ngritën zërin e protestës, dhe moralisht kanë të drejtë, kurse legalisht ata po duan të parandalojnë një skandal politik të qeverisë që ligjin ta ngjyrosin me padrejtësi dhe kështu ta instalojnë diskriminimin social në Kosovë.

Nuk është arsyetim fakti i “veteranëve të rrejshëm”, që të përdoret si pretekst për të goditur të gjithë veteranët e vërtetë. Ne fund te fundit, A. Kurti është kryeministër, që domethënë se ka pushtet, për të hetuar e zbuluar “të rrejshmit” dhe t’ia ofrojë drejtësisë për masa ligjore ndaj tyre. Në vend të kësaj, duket se ka preferuar t’i godasë kategoritë e luftës çlirimtare!

Nuk është as arsyetim as supozimet, mbase të bazuara, se ka njerëz që jetojnë jashtë vendit (që punojmë ose marrin asistencë sociale atje) dhe marrin pagën e veteranit. Ky është veprim kundër ligjit që e saktëson se paga e veteranit merret vetëm kur nuk ka të ardhur tjetër. Prandaj mekanizmat e shtetit duhet të veprojnë për t’i zbuluar dhe goditur të tillët.

Nuk ka më turp se deputetët, pavarësisht përkatësisë partiake, të votojnë një ligj i cili i shkel e i mohon duke i diskriminuar kategoritë e luftës çlirimtare. Një përbuzje e tillë e tyre do të ishte mëkat i madh nga kjo nomenklaturë, mëkat që do t’ua përlyente me faj ndërgjegjen – nëse kanë pak mdërgjegje kombëtare e njerëzore!

Injorimi nga institucionet e shtetit ndaj kërkesës nga kategoritë e dala nga lufta çlirimtare kundër diskriminimit të tyre, do të ishte absurdi më i madh politik dhe ajo do të ishte përgjegjëse juridikisht e institucionalisht.

Ky veprim i institucioneve tona po i ngjanë asaj që thuhet se “revolucioni hanë bijtë e vet”, e që mund të adaptohet se “shteti i cili u krijua nga lufta çlirimtare po i shkel pikërisht çlirimtarët”!

(Autori i këtij shkrimi është veteran luftëtar i UÇK, dhe deri më sot nuk kam marrë asnjë cent për këtë status. Ky shkrim është shkruar si protestë intelektuale dhe si solidaritet me bashkëluftëtarët për mbrojtjen e të drejtave të kategorive të dala nga lufta çlirimtare dhe kundër institucionalizimit të diskriminimit social!)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Dritës e ka prezantuar transferin me të ri.…