Institucionet heshtin, Lista Serbe po tjetërson mandatet e komuniteteve joshumicë
Njohësit e proceseve kushtetuese dhe shoqëria civile janë shprehur të shqetësuar me ndërhyrjen e paprecedentë të Listës Serbe për t’i tjetërsuar mandatet e rezervuara të komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës. Ata kanë ftuar institucionet e Kosovës që të ndërmarrin veprime për ta ndaluar delegjitimimin e vendeve të garantuara për komunitetet joserbe.
Njohësi i proceseve kushtetuese dhe zgjedhore, Mazllum Baraliu, ka treguar se pse Lista Serbe po tenton t’i marrë mandatet e komunitet boshnjak dhe ashkali. “Marrja e dy mandateve nga komuniteti boshnjak dhe dy nga komuniteti ashkali dhe rom është një lojë e rrezikshme. Kjo është bërë për ta penguar ndryshimin e Kushtetutës, për të manipuluar me të drejtat e komuniteteve joshumicë, për ta minuar sistemin, për t’i marrë fuqinë e ndikimit dhe për ta penguar formimin e qeverisë. E keni parë tash se çfarë kërkesa absurde kanë ata përfaqësues. Kjo bëhet për ta shantazhuar Kushtetutën, sistemin, qeverinë dhe shtetin e Kosovës. Kjo është shumë e rrezikshme. Është për t’u çuditur se si po heshtet kjo çështje nga institucionet”, ka thënë Baraliu për gazetën “Epoka e re”.
Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka vlerësuar se vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës po rrezikohen për shkak të ndërhyrjes së Beogradit përmes Listës Serbe.
Përmes një reagimi për media, KMDLNj ka bërë me dije se kjo ndërhyrje është e paprecedentë për tjetërsim të mandatave të komuniteteve joshumicë. “Në këtë kontekst janë edhe garancitë për vendet e rezervuara e që në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit 2021 po rrezikohen seriozisht për shkak të ndërhyrjes së Beogradit përmes Listës Serbe ta ndryshojë arkitekturën e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë duke kontrabanduar vota për favoritët e tyre në mënyrë që Lista Serbe të kontrollojë 2/3 e deputetëve të komuniteteve joshumicë. Më herët, nën kërcënim, shantazh dhe duke përdorur edhe dhunë fizike, u përjashtuan nga loja politike në Kosovë të gjitha partitë politike serbe në Kosovë, që ishin integruar në strukturat shtetërore dhe shoqërore të Kosovës dhe që punonin për integrimin e serbëve në Kosovë e që i tëri ky proces kundërshtohej nga Serbia, përmes Listës Serbe”, ka vlerësuar KMDLNj-ja, duke shtuar se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Në këtë mënyrë, me vota të kontrabanduara po krijohet një përfaqësim i imponuar i komuniteteve joshumicë, në dëm të përfaqësuesve të vërtetë dhe legjitimë të këtyre komuniteteve dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat e njeriut që garanton, në mënyrë të vullnetshme, pa imponim, pa ndërhyrje politike dhe krejtësisht të pavarur të votoni, të zgjidhni apo të zgjidheni. Kjo në zgjedhjet e fundit është shkelur në mënyrë flagrante sikur që është bërë kriminalizimi i procesit të votimit për komunitetet joshumicë, i planifikuar nga Serbia dhe i zbatuar nga Lista Serbe”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
Ndërsa profesori i qeverisjes amerikane, Ilir Ibrahimi, ka thënë se Lista Serbe e ka keqpërdorur një privilegj që u jepet pakicave nga pakoja e Ahtisarit. “Lista Serbe e ka keqpërdorur një privilegj që u jepet pakicave nga pakoja e Ahtisarit. Kjo jo vetëm se duhet dënuar, por nuk duhet as të pranohet. Duke përdorur taktika zgjedhore, kjo listë ka arritur të lë jashtë përfaqësues nga disa komunitete. Nëse një manovër e tillë lejohet të bëhet praktikë normale, atëherë vendet e rezervuara për komunitete e humbin çdo kuptim”, ka shkruar ai në profilin e vet në “Facebook”.
Institucionet duhet të ndërmarrin veprime
Njohësi i proceseve kushtetuese dhe zgjedhore, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të ndërhyjë në këtë proces dhe ta ndalë manipulimin e Listës Serbe me të drejtat elementare kushtetuese të garantuara të minoriteteve të tjera.
Sipas Baraliut, KQZ-ja duhet t’i anulojë të gjitha vendvotimet aty ku nuk ka pasur boshnjakë dhe është votuar për subjektet e këtij komuniteti. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si institucion i pavarur kushtetues që ka për detyrë ta menaxhojë procesin e zgjedhjeve, në mënyrë urgjente duhet të ndërhyjë.
Do të duhej që menjëherë t’i shënjojë ato vendvotime që në mënyrë të kundërligjshme është votuar një komunitet ku nuk ka fare pjesëtarë të atij komuniteti. Pra, aty ku nuk ka fare boshnjakë kanë votuar të tjerët për ta. Do të duhej që KQZ-ja t’i shënojë këto raste, t’i rinumërojë votat dhe t’i anulojë ato. Pra, do të duhej që të anulohen ato vendvotime, në mënyrë që ato vota të mos i marrin as ata që i kanë marrë në mënyrë të kundërligjshme”, ka thënë Baraliu.
Ai ka treguar se komunitetet e dëmtuara në këtë proces mund t’i ndjekin të drejtat e tyre edhe përmes procedurës së ankimimit. “Nëse kjo nuk bëhet, atëherë përmes mekanizmave ankimorë komunitetet e dëmtuara duhet të kërkojnë drejtësi në PZAP, në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur ai.
Kurse KMDLNj-ja ka kërkuar që të bëhet rinumërimi i votave në të gjitha vendvotimet ku dyshohet se ka pasur vota të kontrabanduara e që kanë ndikuar në rezultatin e kandidatëve për komunitetin joshumicë që në rastin konkret janë dëmtuar, duke u eliminuar nga mundësia ta përfaqësojnë komunitetin që i takojnë. “Partitë joshumicë duhet ta ndjekin rrugën ligjore pas certifikimit të rezultateve në mënyrë që t’i mbrojnë dhe realizojnë të drejtat e tyre që ua garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe, në këtë drejtim, do ta kenë përkrahjen e parezervë të KMDLNj-së. Nëse edhe pas këtij krimi elektoral që paraqet ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Serbisë, përmes Listës Serbe, kalohet pa ndërmarrë veprime ligjore dhe kushtetuese, atëherë do të përligjet një precedan shumë i rrezikshëm që, në mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejtë, varësisht se sa deputetë do të kontrollohen nga Lista Serbe, përfaqësuesit e komuniteti joshumicë do ta pësojnë fatin e partive politike serbe në Kosovë të cilat, thuaja janë përjashtuar nga procesi politik dhe vendimmarrja për fatin e serbëve që janë integruar apo duan të integrohen në Kosovë”, ka vlerësuar KMDLNj.
Sipas këshillit, me këtë çështje duhet të merren edhe organet e drejtësisë. “Do të ishte mirë, madje dhe e domosdoshme që pas shpalljes së rezultateve preliminare, organet e hetuesisë t’i hetojnë dyshimet e ngritura nga kandidatët dhe partitë politike të komunitetit joshumicë për manipulim të votave nga Serbia dhe Lista Serbe. Realisht, nëse për Iniciativën e Boshnjakëve në Veri të Mitrovicës votojnë kryesisht dhe në disa raste (nga disa komuna serbe) ekskluzivisht votuesit serbë, atëherë vetvetiu lindin dyshime të bazuara për vota klienteliste, të kontrabanduara dhe për qëllime politike”, ka bërë me dije KMDLNj.
Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shihet se pjesa më e madhe prej 6 379 votave që ka marrë “Komuniteti i Bashkuar – Adriana Hoxhiq”, është siguruar në komunat e banuara me shumicë serbe. Sipas këtyre të dhënave, më shumë se 5 300 vota për këtë subjekt janë evidentuar në komunat e banuara me shumicë serbe.
Ky subjekt politik besohet se ka fituar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Gjithashtu, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, Koalicioni Vakat ka marrë 5 672 vota, prej të cilave të paktën mbi 700 vota janë evidentuar se kanë ardhur nga komunat e banuara me shumicë serbe. Po ashtu, besohet se edhe ky subjekt politik ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Votat nga komunat e banuara me shumicë serbe, të cilat i kanë fituar dy subjektet politike boshnjake, Komuniteti i Bashkuar – Adriana Hoxhiq dhe Koalicioni Vakat, do të jenë arsyeja që dy subjektet e tjera boshnjake, Unioni Socialdemokrat (SDU) dhe Partia e Re Demokratike (NDS), do të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Muhamet KOCI