Institucionet me kapacitet të plotë po përpiqen për zvogëlimin e pasojave nga zjarret
Presidentja Vjosa Osmani ka reguar në lidhje me situatën me zjarrët në vend.
Osmani ka theksuar se në kohën kur temperaturat ekstreme kanë përfshirë vendin tonë, rreziku nga zjarret është rritur tejmase.
“Prej disa ditësh në disa rajone të Kosovës situata është rënduar nga zjarret dhe ky rrezik ende nuk ka kaluar”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në “Facebook”.
Ajo ka thënë se institucionet e vendit me kapacitet të plotë po përpiqen për zvogëlimin e pasojave nga zjarret, por kjo përpjekje domosdoshmërisht kërkon edhe mbështetjen e qytetarëve.
“Zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i, po bëjnë të pamundurën, por të gjithë kemi përgjegjësinë që ta rrisim kujdesin për ta ulur rrezikun nga shtrirja e zjarreve”.
“Djegia e hamulloreve konsiderohet ndër shkaktarët kryesorë të zjarreve, ndaj qytetarët duhet të përmbahen nga veprime të tilla, të cilat shkaktojnë rrezik të përgjithshëm”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka shkruar tutje se: “Kosova është shtëpia jonë, ndaj të gjithë duhet të mobilizohemi ta ruajmë mjedisin dhe t’i ruajmë jetët e njerëzve tanë”.