Institucionet ndërkombëtare financiare, të gatshme ta mbështesin sektorin privat në Kosovë
Institucionet ndërkombëtare financiare janë duke vlerësuar sfidat dhe nevojat konkrete të sektorit privat, në mënyrë që të krijojnë instrumentet më adekuate për t’i përkrahur bizneset në tejkalimin e vështirësive me të cilat po të përballen si pasojë e pandemisë globale COVID-19.
Kështu është thënë gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me përfaqësues të Bankës Botërore (BB) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).
Leonora Kusari, menaxhere kryesore në Departamentin Këshillues për Biznese të Vogla në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka theksuar se meqë kjo bankë e ka në fokus sektorin privat, është munduar që në shpejtësi të ju përgjigjet çështjeve që lidhen me likuiditetin dhe transformimin e bizneseve duke e konsideruar ndikimin e pandemisë.
Ajo ka thënë se pakoja e solidaritetit nga BERZh-it kap shumën e 1 miliardë eurove, ndërsa në fazën fillestare do të përkrahen partnerët ekzistues, përkatësisht bankat, bizneset dhe qeveritë, duke shtuar se mbesin të përkushtuar për zhvillimin e pakove të tjera financiare dhe të këshillimit për sektorin privat.
Kusari ka thënë se BERZh-i po mundohet që të krijojë instrumente të adaptueshme për secilin regjion në të cilin operon, sidomos në pjesën e këshillimit dhe atë të madhësisë së shumave të dedikuara.
Më tutje, ajo ka thënë se BERZh-i është duke synuar krijimin e mundësive për përkrahje të sektorëve specifik njëkohësisht, por sidoqoftë krijimi i mekanizmave për instrumente përkatëse është procedurë që kërkon kohë.
Në adresimin e saj, Kusari është fokusuar edhe në faktin se identifikimi i problemeve të bizneseve është i një rëndësie të veçantë për këtë bankë, ku edhe i inkurajoi bizneset që të njoftojnë BERZh-in lidhur me masat specifike që ata besojnë se duhet t’i përfitojnë.
Kusari ka njoftuar klientët paraprak se për shkak të pandemisë, BERZh-i do të ofrojë asistencë edhe për kompanitë që më herët kanë qenë përfituese, gjë që në rrethana të tjera nuk do të ishte e mundur.
Ndërsa Blerta Qerimi, specialiste e lartë për sektorin privat në Zyrën e Bankës Botërore në Kosovë, ka potencuar se ky institucion është në diskutim të vazhdueshëm me qeverinë për të gjetur mënyrat më të mira për mbështetje gjatë kësaj periudhe.
Ajo ka thënë se ndikimi i krizës do të jetë enorm në aspektin ekonomik dhe social, prandaj sipas saj duhet të shqyrtohen mundësitë më të favorshme për të ndihmuar sektorin privat në vend.
Qerimi ka theksuar se për Bankën Botërore është me rëndësi që t’i ketë të qarta problemet e bizneseve ashtu që sa më mirë t’u përgjigjet kërkesave të tyre, derisa ka thënë se në fokus janë bizneset e mbyllura dhe të ndikuara direkt për shkak të restrikcioneve që janë imponuar gjatë fazës emergjente, ato që prodhojnë dhe eksportojnë, ato që ndodhen në një shok financiar dhe nuk kanë mundësi t’i paguajnë kreditë e tyre, si dhe ato me probleme në zinxhirin e furnizimit.
Sipas Qerimit, Banka Botërore për momentin është e fokusuar në dy projekte. Njëri që është në implementim e sipër e që ka të bëjë me rritjen e konkurrueshmërisë dhe aftësinë për eksport, të bizneseve. Ndërsa, projekti tjetër, i cili është duke pritur aprovim në parlament, ka të bëjë me rritjen e kapitalit të Fondit për Garanci Kreditore, i cili synon të lehtësojë kredhidhënien dhe të bëj ndarjen e riskut mes kredidhënësit dhe kredimarrësit, sidomos për klientët që do të ballafaqohen me mungesë të kolateralit. Për më tepër, Qerimi ka thënë se Banka Botërore po shqyrton mundësitë për riorientim të fondeve në vlerë rreth 10 milionë euro, që mund t’i mbështesin bizneset gjatë kësaj faze emergjente.
Gjatë këtij forumi panelistët kanë përgëzuar organizatat e bizneseve që kanë pasur zë të përbashkët dhe kanë qenë ndërmjetësuesit më të mirë në bartjen e kërkesave të bizneseve, ndërsa kanë theksuar gatishmërinë e tyre për bashkëpunim në zgjidhjen e problemeve të sektorit privat.