Institucionet nuk i blejnë shërbimet e Telekomit, por të privatëve

26 prill 2018 | 08:59

Derisa Telekomi i Kosovës po përballet me krizë të thellë financiare, institucionet publike të Kosovës vazhdojnë t’i blejnë shërbimet telekomunikuese nga operatorët privatë dhe jo nga kjo kompani publike.

Në këtë mënyrë institucionet nuk po e respektojnë kontratën kornizë të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Administratës Publike (MAP) dhe Telekomit të Kosovës, për ofrimin e të gjitha shërbimeve të telefonisë mobile, fikse dhe të shërbimeve të rrjetit optik.

Përfaqësuesit e Telekomit të Kosovës kanë bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se shfrytëzimi i shërbimeve të Telekomit nga institucionet publike të Kosovës do ta ndihmonte shumë këtë kompani

“Shfrytëzimi dhe zbatimi i plotë i kësaj kontrate nga institucionet e Republikës së Kosovës (IRK) do të ndikonte pozitivisht në performancën e përgjithshme të Telekomit të Kosovës”, ka thënë për gazetën “Epoka e re” Arsim Bilalli, zëdhënës i Telekomit të Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Administratës Publike, Arton Berisha, ka deklaruar për “Epokën e re” se me nënshkrimin e kontratës janë njoftuar të gjitha institucionet e Kosovës.

Kontrata të cilën e ka siguruar gazeta “Epoka e re” tregon se si institucionet publike të nivelit qendror dhe ato të nivelit lokal mund t’i shfrytëzojnë këto shërbime të Telekomit të Kosovës.

“Lënda e kësaj kontrate krijon kushte për qasje të Ministrisë së Administratës Publike (MAP), si ‘autoritet kontraktues’, dhe institucioneve të Republikës së Kosovës (IRK) ‘Autoritetet kontraktuese’ në shërbimet telekomunikuese të ofruara nga Telekomi i Kosovës Sh. A., si ‘Ofrues i shërbimeve’. Këto shërbime mundësojnë qasje në produktet dhe shërbimet e tele- fonisë mobile dhe të telefonisë fikse (pako të zërit-TiKtel, pako Data-TiKon, pako të internetit Wirless, Hot-Spot – TiKon@Pika, pakot mediatike-TiKtv, pako të kombinuara -Tv, zë dhe data, linja ISDN, SIP linjat telefonike, linjat Centrex, shërbimin 0800, internetin e dedikuar ProOn, VPM, linjat e huazuara kombëtare, WEB shërbimet dhe kablloja optike)”, thuhet në nenin e parë të kësaj kontrate.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
-Këtë tregim i’a kushtoj nënës time Zahide (10.11.1931 – 26.04.2017),…