Institucioni i Avokatit të Popullit lansoi Platformën për të Drejtat e Njeriut

11 dhjetor 2019 | 13:26

Institucioni i Avokatit të Popullit me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ka publikuar për të gjithë qytetarët e vendit “Platformën për të Drejtat e Njeriut” e cila synon të promovojë zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, siç garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe me ligjet e zbatuara në Kosovë.

Platforma për të Drejtat e Njeriut është projektuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit dhe është zhvilluar në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) me mbështetje financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze.

Platforma ofron dy udhëzues, “Udhëzuesin e të Drejtave të Njeriut” dhe “Udhëzuesin e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm (OZHQ) në lidhje me të drejtat e njeriut”, të cilët do të shërbejnë për të siguruar qasje më të lehtë dhe praktike në juridiksionin vendor dhe ndërkombëtarë përmes lidhjeve të strukturuara në mes instrumenteve juridike të cilat zbatohen drejtpërsëdrejti në sistemin juridik të Republikës së Kosovës, si dhe për të demonstruar lidhjet e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Platforma ofron informacion të dobishëm për të gjithë subjektet e së drejtës, përfshirë qytetarët, praktikuesit e ligjit, gjyqtarët, prokurorët, institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut, institucionet arsimore, organizatat e shoqërisë civile, bizneset, studentët dhe të gjithë të interesuarit.

Linku përmes së cilit mund t’i qaseni platformës: http://humanrights.oik-rks.org

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grua britanike do t’i festojë Krishtlindjet në burg, pasi…