
Instituti Albanologjik, tryezë shkencore për etnologen e parë
Instituti Albanologjik në Prishtinë, gjegjësisht Dega e Etnologjisë, sot nga ora 10:00 organizon tryezë shkencore kushtuar veprimtarisë së vlershme studimore dhe akademike të profesoreshës, Drita Halimi Statovci.
Drita Halimi Statovci do të nderohet me një mirënjohje nga u.d. drejtori i Institutit Albanologjik, z, Naim Berisha dhe Shefja e Degës së Etnologjisë-IAP, znj. Angjelina Hamza Hasanaj, e cila do ta mbajë edhe fjalën hapëse.
Në këtë organizim shkencor, studiuesit dhe etnologët, si Lumnije Kadriu, Angjelina Hamza Hasanaj, Zanita Halimi, Valon Shkodra, Rini Useini dhe Arlinda Veliu Sadiku do të flasin për veprimtarinë shkencore dhe kërkimore të Drita Statovci Halimit, etnologes së parë grua në Institutin Albanologjik, themelueses së studimeve universitare etnologjike në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht Departamentit të Antropologjisë. Ata do të hedhin dritë mbi veprën e etnologes me punë tejet të rëndësishme në fushën e saj, me kontribute të vlershme, si për nga vëllimi, po ashtu edhe për nga cilësia, e cila i dha krah studimeve etnologjike shqiptare në Kosovë, duke u shndërruar në një udhëzuese dhe dritë orientuese për studiuesit dhe etnologët e gjeneratave që erdhën pas saj.
Kjo tryezë shkencore, me titullin “Drita Halimi Statovci- një jetë kushtuar etnologjisë”, do të mbahet në shenjë të 80-vjetorit të lindjes së saj.
Tryeza mbahet, në sallën e katit të epërm të Institutit Albanologjik.